Haga e Pakënaqur me Gjykimet e Krimeve të Luftës në Bosnjë

Brammertz gjatë një interviste për BIRN-in tha se pas vizitës në Sarajevë ai mendon që prokurorët e Bosnjës po punojnë shumë ngadalë në rastet që janë bartur nga Tribunali i Hagës për gjykim në gjykatat vendore.

“Fillimisht kemi transferuar rastet kundër 44 individëve, për disa prej këtyre rasteve janë iniciuar procedurat dhe për një numër tjetër të tyre edhe nuk është shënuar ndonjë progres i madh, sa kohë që në disa raste shumë të rëndësishme ka pasur fare pak progres”, tha Brammertz.

“Gjatë disa viteve të kaluara kam përcjellë këto raste dhe kam mirëkuptuar situatën e vështirë. Por tani mirëkuptimi im sa vjen e bie, sepse më duket gjendje fatkeqe që shoh progresin e pakët që është arritur për rastet të cilat i përcjellë çdo gjykatë”, tha ai.

Ai më pas tregoi se i ka thënë Prokurorisë së Bosnjës se e mirëkupton gjendjen se po punojnë me resurse të kufizuara në një situatë të ngarkuar politike, por është koha që të përshpejtohen këto raste.

“Theksin e bëra në atë se pashë fare pak progres në rastet që unë i ndjek çdo gjashtë muaj, po çfarë ndodh atëherë me rastet të cilat nuk i ndjek kush? Shpresoj që kritikat e mia të merren në mënyrë konstruktive sepse nuk është vetëm çështja e resurseve dhe pajisjeve, por është edhe çështje e vullnetit dhe punës”, tha Brammertz.

Ndjekja penale ndaj agresorëve seksualë

Kryeprokurori i Hagës tha se ai do të dëshironte të shihte që janë ndjekur më shumë raste të dhunimeve dhe dhunës seksuale.

“Sa herë që shkoj në rajon dhe takoj viktimat, ka shumë kritika. Nëse shohim mijëra e mijëra viktima të dhunës seksuale, nuk mund t’i gëzohemi faktit që janë ndjekur dhe dënuar vetëm disa dhjetëra sish”, deklaroi Brammertz.

Brammertz tha se krimet e dhunimeve masive dhe dhuna seksuale kanë zënë vend parësor në aktakuzën kundër liderëve politikë dhe ushtarakë të serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit në Hagë.

“Në 50 për qind të aktakuzave tona ka 1 element të dhunës seksuale. Është një element i rëndësishëm, por këtë çështje duhet parë në aspekt më të gjerë. Kemi ecur larg në kuptim të jurisprudencës për krimet e dhunës seksuale”, tha ai.

“Historikisht, rrallë herë komandantët e luftës kanë qenë të dënuar për krime të dhunës seksuale. Mendohej se këto ishin krime të rastit dhe jo pjesë e një strategjia për spastrim etnik. Ky Tribunal ka konstatuar që dhuna seksuale ka qenë e parashikuar, prandaj komandantët janë përgjegjës”, shtoi ai.

Brammertz në ndërkohë ka mohuar propozimet se krijimi i tribunalit të ri për krime lufte për akuzat që përfshijnë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paraqet kritikë ndaj punës së Prokurorisë së Hagës për rastet që kishin të bënin me Kosovën.

“Formimin e kësaj gjykate të re e shoh si plotësim të punës së këtij Tribunali dhe jo diçka tjetër,” tha ai.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare me BE-në që ka brenda vetes gjykatën, u miratua me votën pro të  89 deputetëve të Kuvendit të Kosovës më 23 prill, derisa 22 prej tyre ishin kundër, ndërsa dy u përmbajtën.

Gjykata pritet të hetojë pretendimet për krime të raportuar nga Dick Marty në Këshillin e Evropës gjatë vitit 2010.