KMShK-ja Kërkon Sqarime Shtesë për Artikujt e Kontestuar

Lidhur me një shkrim të gazetës “Tribuna”, të titulluar  “Informatori i Albinit”, pranë KMShK-së është ankuar zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, meqë ky shkrim pretendonte se një veturë zyrtare e Inspektoratit të Komunës, sipas një dëshmitari vjen para banesës së Albin Kurtit gati për çdo mbrëmje. Sipas gazetës, pas qëndrimit aty rreth gjysmë ore ajo largohet.

Sipas KMShK-së, gazeta ka kontaktuar zëdhënësin Adonis Tahiri i cili ka shpjeguar se vetura me targë 0194600 është e Drejtorisë së Inspektoratit dhe se ajo endet në çdo kohë në krye të detyrës, në të gjitha pjesët e qytetit të Prishtinës.

Bordi i KMShK-së, pasi dëgjoi edhe të dhënat plotësuese nga përfaqësuesi i gazetës Tribuna, u informua se gazeta ka disa fotografi të asaj veture të parkuar disa herë para shtëpisë së kryetarit të VV-së. Gazeta në fjalë shprehu gatishmërinë të botojë shpjegimet plotësuese të palës ankuese në mënyrë që çështja të sqarohet deri në fund me çka u pajtua edhe bordi i KMShK-së.

KMShK-ja shqyrtoi edhe ankesën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kundër gazetës “Zëri” e cila ka botuar më 22 shkurt 2014 artikullin me titull: “Nafta pa kontroll”. Pala ankuese ka kërkuar nga KMShK-ja që redaksia e “Zërit” ta botojë reagimin e tyre gjë që është plotësuar dhe më këtë rast është respektuar Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës (e drejta për t’u përgjigjur).

Profesorët e UP-së, Violeta Nushi, Shqipe Nixha dhe Naser Kabashi janë ankuar pranë KMShK-së lidhur me një artikull të botuar në gazetën “Koha Ditore” më 22 mars 2014 me titull: “Rektorati i UP-së mban në pozita profesorët me publikime në revista false”, në të cilin përmenden edhe këta tre emra për botime të tyre shkencore në një revistë ndërkombëtare të quajtur “David Publishing Company”.

Përfaqësuesi i gazetës “Koha Ditore” deklaroi para KMShK-së se gazeta ka kërkuar edhe mendimin e dikujt nga këta tre autorë të një punimi që të prononcohen.

KMShK-ja tha se nuk mund të konstatojë se çfarë vlere shkencore bart revista në fjalë, pasi për këtë duhet të vendosin ekspertët.

Por gjithashtu në këtë takim gazeta në fjalë u zotua se do ta botojë reagimin e palës ankuese, nëse sipas Kodit të Mediave të Shkruara ai do t’u përgjigjet çështjeve kyçe në artikull.

Divizioni për Komunikim i MZhE-së ka dërguar një ankesë lidhur me artikullin “MZhE-ja bën shkelje në tender”, botuar më 2 prill 2014 në “Kosova Sot”. Ankuesi ka kërkuar t’i botohet reagimi, gjë që gazeta në fjalë e ka bërë.

KMShK-ja e ka shqyrtuar edhe ankesën e dr. Bekim Dulës kundër gazetës “Koha Ditore” lidhur me artikullin me titull: “Kardiologët largohen, s’duan të rrezikojnë jetën e pacientëve në QKUK”.

Ankuesi pretendon se në artikull nuk është paraqitur edhe mendimi i tij. Sipas KMShK-së  gazetarja e gazetës “Koha Ditore” e ka kërkuar përmes telefonit edhe prononcimin e dr. Dulës, por ai nuk ka dashur të paraqesë qëndrimet e tij rreth shumë çështjeve përmes telefonit.

Pas botimit të artikullit në fjalë shumë media në Kosovë kanë marrë një komunikatë me logon e Ministrisë së Shëndetësisë të cilën “Koha Ditore” nuk e ka botuar, por sipas përfaqësuesit të kësaj gazete do ta botonin një reagim sqarues të Dr Bekim Dulës lidhur me të gjitha çështjet që janë shqyrtuar në artikullin e përmendur.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, është trup vetërregullativ që rregullon mediat e shkruara dhe online dhe përbëhet nga përfaqësuesit e mediave kryesore në Kosovë. Vendimet e KMShK-së publikohen në të gjitha gazetat dhe portalet online që janë anëtare të këtij këshilli.