PDK-ja dhe AAK-ja Pro Vendeve të Rezervuara (TV)

Projektligji për ndryshimin e disa ligjeve për shndërrimin e Forcave e Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës do të jetë si pikë e rendit të ditës në seancën e ardhshme të Kuvendit  të Kosovës e cila do të mbahet, të hënën  me 5 maj.

Këtë e pohoi kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja “Vetëvendosje” thanë  se do të votojnë pro shndërrimit të FSK-së në FAK, por nuk do të votojnë për vazhdimin edhe për një mandat për deputetet e minoriteteve, edhe nëse ata e kushtëzojnë votën e tyre për shndërrimin e FSK-së në FAK.

“Këto janë dy çështje të ndara, Lidhja Demokratike e Kosovës do të votojë për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, sepse është në interes të vendit ky transformim , po ajo çka është e sigurt se LDK-ja nuk do të votojë në asnjë rrethanë për vendet e rezervuara”, tha Ismet Beqiri shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Edhe Visar Ymeri nga Lëvizja “Vetëvendosje” tha se këto dy gjëra janë të ndara dhe nuk do të votojnë për vazhdimin e mandateve.

“Nuk bën të pranojmë, siç po pranojmë shpesh kushtëzime që po vijnë nga deputetet e komunitetit serb në mënyrë kaq të lehtë”, tha Ymeri.

Kurse, Ardian Gjini i AAK-së tha se çështja më e rëndësishme para Kuvendit të Kosovës është transformimi i Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur.

“Për Aleancën,  2 apo 3 serbë ma shumë në legjislaturën e ardhshme janë çmim i pranueshëm për trasformimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur , për disa subjekte politike ky është çmim tepër i madh, e unë mendoj se nuk e kanë kalkuluar çmimin mirë, kur thonë që ne jemi për forca të armatosura, por nuk jemi për tri ulëse ma shumë ”, tha Gjini.

Edhe Adem Grabovci i PDK-së tha se nuk është shumë me rëndësi për dy apo tre deputetë serb ma shumë në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit, pasi që sipas tij çështja e transformimit të FSK- në FAK është shumë e rëndësishme për Kosovën.

“Çfarë problemi do të jenë për tre deputetë serbë të minoritetit, më shumë apo më pak në Kuvend, por ne po fitojmë shumë ma shumë se po e fitojmë Forcën e Armatosur të Kosovës dhe po e rrisim shkallën e sigurisë së vendit tonë, të qytetarëve tonë, të shtetit tonë dhe kjo është sukses shumë i madh”, shtoi Grabovci.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, me 4 mars 2014 ka miratuar Strategjinë për Shndërrimin e FSK-së në FAK.