Vuçiq: Masa Shtrënguese për Stabilizim Ekonomik

Vuçiqi u zgjodh kryeministër në parlament të dielën me 198 vota pro dhe 23 kundër, pasi Partia e tij Progresiste fitoi zgjedhjet në Serbi muajin e kaluar.

Vuçiq tha se detyra më e rëndësishme e kabinetit të ri do të jetë reforma ekonomike, duke përfshirë kalimin e një pakoje ligjesh të reformuara, privatizimin e 153 ndërmarrjeve shtetërore, zhvillimin e sektorit privat dhe konsolidimin e buxhetit shtetëror nëpërmjet uljes së shpenzimeve.

Ai tha se shteti ishte shumë zemërgjerë, kështu që në fazën e parë të konsolidimit të financave publike, pagat e sektorit publik do të zvogëlohen për 10 për qind dhe “taksa e solidaritetit” do të hiqet.

Por Vuçiq premtoi se dhimbjet ekonomike nuk do të zgjasin shumë.

 “Duke iu falënderuar masave të reja dhe forcimit ekonomik në fund të vitit 2016, pagat në sektorin publik do të jenë më të mëdha se tash”, tha Vuçiq.

Sipas Vuçiqit edhe pensionet në Serbi do të zvogëlohen për 25 deri në 30 për qind nëse do të dëshirohet të ndihet ndikim pozitiv në ekonomi. Rritja e tyre në të shkuarën nuk kishte bazë ekonomike.

Kryeministri i ri tha se bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar “ do të intensifikohen në 100 ditët e para të qeverisë së re” dhe shtoi se beson që do të nënshkruhet një marrëveshje e re me institucionet globale financiare.

Vuçiq mendon se bashkë me masa tjera borxhi publik do të ndalet në 3 deri 4 për qind të GDP-së deri në vitin 2017.

Ai paralajmëroi se vendi do të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, procesin e integrimit në BE dhe bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ai tha se tash do ta prezantojë personalisht Serbinë në bisedimet me Kosovën që filuan në mars 2011.

Nga 19 anëtarët e qeverisë vetëm 7 janë të Partisë Progresiste.

Ivica Daçiqi i socialistëve është tash zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm.

Zëvendëskryeministra tjerë janë Zorana Mihajloviq e partisë së Vuçiqit, Rasim Lajiq dhe Kori Udovicki.

Mihajloviq është edhe ministreshë e Ndërtimeve, Transportit dhe Infrastrukturës, Derisa Lajiq është ministër i Tregtisë, ndërsa Udovicki ministër i Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale.

Ministra tjerë janë Llazar Krstiq i Financave, Dushan Vujosheviq i Ekonomisë, Snezana Bogosavljeviq-Boskoviq, ministreshë e Bujqësisë, Aleksandar Antiq i Energjisë, Nikolla Selakoviq i Drejtësisë, Srgjan Vrbiq i Arsimit, Zllatibor Lonçar i Shëndetësisë, Ivan Tasovac i Kulturës, Aleksandar Vulin i Punës, Vanja Udoviciq i Sportit, Nebojsha Stefanoviq i Punëve të Brendshme.

Ministra pa portofol do të jenë Velimir Iliq dhe Jadranka Joksimoviq, i pari për Situata Emergjente, ndërsa e dyta për Integrime Evropiane.

Të gjithë anëtarët e qeverisë thanë betimin me fjalët; “Betohem të jem besnik [luajal] i Republikës së Serbisë dhe premtoj që me nder ta mbroj kushtetutën dhe ligjet dhe ta kryej detyrën e anëtarit të qeverisë ndërgjegjshëm, përgjegjshëm dhe me dinjitet, duke u angazhuar për mbajtjen e Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.