BE-ja të Hetojë Kontratën e Serbisë me “Gazprom-in”

Sekretariati i kërkoi Këshillit që të shqyrtojë ligjshmërinë e marrëveshjes dypalëshe për konstruktimin e gazsjellësit “South Stream” të lidhur mes Serbisë dhe kompanisë ruse “Gazprom”.

Sekretariati tha se Serbia dështoi t’u përgjigjet kërkesave të përsëritura nga Brukseli për të mbikëqyrur veprimet e “Srbijagas-it” dhe “Yugorosgas-it”, dy operatorëve të sistemit të transmisionit të Serbisë në segmentin e gazsjellësit “South Stream” nëpër këtë shtet.

Sipas Komunitetit të Energjisë së BE-së, marrëveshja mes Serbisë dhe “Gazprom-it” nuk është në pajtim me rregullat e Bashkimit Evropian të dizajnuara për parandalimin e një kompanie që të jetë edhe prodhues, e edhe shpërndarës i gazit natyror.

Pasi Beogradi injoroi kërkim-shpjegimet, Sekretariati kërkoi mendimin e Këshillit të Evropës.

Komisionari i Energjisë së BE-së Gunther Oettinger paralajmëroi në disa raste që marrëveshjet dypalëshe të “Gazprom-it” me disa shtete, duke përfshirë edhe Serbinë, nuk përputhen me rregulloret e BE-së dhe duhet të rinegociohen.

Kjo çështje ishte planifikuar të jetë në agjendën e samitit BE-Rusi në Moskë, por të gjitha bisedimet për energjinë u shtynë për shkak të krizës ukrainase.

Brukseli nuk i është përgjigjur ende propozimit të bërë nga presidenti rus Vladimir Putin të mërkurën për negociata lidhur me furnizimin e BE-së me gaz rus, të cilat sipas tij do të mbaheshin në Moskë më 27 prill.

Puna në segmentin serb të gazsjellësit filloi në nëntor. Kur të përfundojë gazsjellësi, gazi do të rrjedhë nën Detin e Zi dhe nëpër Bullgari e Serbi drejt Hungarisë, Sllovenisë dhe Italisë.

Puna e ndërtimit të segmentit serb të gazsjellësit do të zgjasë dy vjet, ndërsa ka kapacitet prej 40.5 miliardë metra kub të gazit natyror në vit.