Mësim në Kushte të Rënda për Teknikët e Pejës (TV)

Meqenëse objekti i shkollës nuk ka hapësira të mjaftueshme, 16 nxënës të Shkollës së Mesme Teknike “Shaban Spahija” në Pejë detyrohen të mbajnë mësim në një kthinë të vjetër e të vogël në oborr të shkollës.

Kushtet në këtë kthinë ku nxënësit e vitit të dytë të drejtimit Transport Rrugor mbajnë nga 6-7 orë mësimi në ditë, janë shumë larg asaj që në ditët e sotme paramendohen si ambiente shkollore.

 “Na ktu po majna mësim n’kushte shumë t’vështira, sidomos dimnit është shumë ftoftë e deri me tani nuk ka pasë as xhama këtu e as derë, ka hy flladi gjithkah, o kanë shumë ftoftë. Edhe stufa bon tim, dhezet, po tymon shumë”, thotë Sydrim Tigani.

Ndërsa, shoku  i tij Denis Çetina thotë se ka kohë që u është premtuar dalja në një objekt të ri.

 “Për mu oshtë nji katastrofë. Gjithmonë në fillim të vitit na kanë premtu, na kanë thonë vitin tjetër kemi me hi… ama që tre vjet u ban kurrkush s’o hi”, thotë nxënësi Çetina.

Shkolla e Mesme Teknike “Shaban Spahija” në Pejë ka 1 mijë e 300 e nxënës, të shpërndarë në tri objekte të ndryshme nëpër qytet, pikërisht për shkak të mungesës së objektit adekuat.

Përveç kësaj kthine, në të tria këto objekte kushtet për mbajtje të mësimit janë të rënda, me objekte të vjetra dhe me dyer e dritare të dëmtuara.

Një objekt i ri për këtë shkollë ka filluar të ndërtohet qysh në vitin 2010, por ka mbetur që atëherë i papërfunduar.

Drejtori i kësaj Shkolle Arben Gjikolli, tha se në përgjithësi investimet në këtë shkollë sipas tij kanë qenë të pakta.

“Edhe pse investimet në këtë objekt kanë qenë të pakta dhe pothuaj fare, përveç suvatimit të mureve e kështu me radhë, nuk kemi pasë ndonjë investim për përmirësimin e gjendjes në këto shkolla”, tha Gjikolli.

Drejtori i shkollës “Shaban Spahija” më pas tha se edhe  largësia mes objekteve që në disa raste e kalon edhe kilometrin, paraqet problem edhe për kuadrin arsimor.

“Duke marrë parasysh që distancat janë të largëta njëra me tjetrën, mësimdhënësit e shkollës tonë e kanë shumë të vështirë që të realizojnë ato detyra të veta 20 orë brenda javës, brenda afatit të caktuar kohor…po distanca mund të llogaritet me kilometra nga një kilometër ndërmjet”, tha ai.

Kushtet e rënda të punës ndikojnë edhe tek kuadri arsimor

 “Normat pedagogjike nuk e lejojnë me e marr ditarin e me e vu në proces mësimor me këto kushte që ne i kemi”, tha profesori Xhemë Rexhbogaj.

Ndërsa për Besim Avdimetajn, drejtorin e Arsimit në Komunën e Pejës dhe ish mësimdhënësin në këtë shkollë, gjendja e tillë ka ardhur pas ndërrimit te shumë drejtorëve dhe stafit menaxhues.

 “Gjendja aktuale në shkollë është shumë e dobët për nga infrastruktura, numri i madh i nxënësve ka bërë që ajo shkollë të ndahet në tri objekte, të ashtuquajtura objekti A, B dhe C, … Situata aktuale oshtë kjo, është çfarë është, ndërsa shkolla e re e cila ka filluar para tre vjetësh ende nuk është përfundu”, tha ai.

Avdimetaj tha që të ketë marrë premtime nga zyrtarët e MAShT-it se me 1 gusht të këtij viti shkolla do të jetë e gatshme.

Sipas MAShT-it ndërtimi i objektit të Shkollës se Mesme Teknike në Pejë ka filluar ne muajin mars te vitit 2010 dhe buxheti i paraparë ka qenë pesëvjeçar.

“Punët janë ne fazën finale dhe pritet të përfundojnë para datës 1 korrik 2014”, tha Arbër Morina këshilltar i Ministrit të Arsimit.

Mirëpo jo të gjitha shkollat e komunës së Pejës janë në gjendje të rëndë, si shkolla “Shaban Spahija”.

Fshatrat Qyshk dhe Lutogllavë, prej nga vijnë zyrtarët e lartë të shtetit Agim Çeku, ministër i FSK-së, dhe Hajredin Kuçi zëvendëskryeministër dhe njëherësh ministër i Drjtësisë kanë shkolla të reja me standarde evropiane.

Për shkollën e ndërtuar në verën e vitit të kaluar dhe të përuruar zyrtarisht më 26 shtator vlera e ndërtimit ishte një milion e 125 mijë euro, ndërsa përveç ndërtimit të objektit, MAShT-i e kishte pajisur atë edhe me inventar të nevojshëm shkollor.

Ndërkaq shkolla e fshatit Lutogllavë, në vendlindjen e Hajredin Kuçit është bërë në shtator të vitit 2009.