Kuvendi Ende Ka Punë

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 24.04.2014

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mendon se nëse zgjedhjet duhet të mbahen në qershor, nuk ka mbetur shumë kohë për t’u shpërndarë Kuvendi. 

“Nëse nuk ndodh gjatë kësaj jave shpërbërja e Kuvendit, atëherë fillimi i javës së ardhshme do të ishte afati i fundit, sepse në të kundërtën edhe proceduralisht do të ishte vonë që presidentja të kishte kohë që brenda 45 ditëve nga shpërbërja e Kuvendit të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme”, shtoi Selmanaj.

Neni 82 i Kushtetutës së Kosovës parashikon disa mënyra dhe raste të shpërndarjes së Kuvendit.

Kuvendi sipas këtij neni mund të shpërndahet nëse brenda një afati prej 60 ditësh nga caktimi i mandatarit të qeverisë, qeveria nuk formohet dhe nëse nuk zgjidhet presidenti 60 ditë nga nisja e procedurave të zgjedhjes së tij.

Kuvendi gjithashtu mund të shpërbëhet me dekret presidencial, nëse për të votojnë dy të tretat e deputetëve dhe nëse kalon në legjislativ mocioni i mosbesimit të qeverisë. 

Shpërbërjen zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi e cilëson çështje të një ujdie mes partive.

“Është çështje e marrëveshjes së partive politike për t’u shpërndarë Kuvendi”, thotë zëvendëskryeministri Kuçi për gazetën ‘Jeta në Kosovë’.

Por Kuçi mendon se Kuvendi ende ka punë për të bërë. Sipas tij, fillimisht duhet të përfundojë çështja e shndërrimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) dhe Ligji për Zgjedhjet.

“Nuk mund të pritet shpërndarja këtë javë si dhe pritet që çështja e FAK dhe Ligjit për Zgjedhje duhet të përfundojë, e pastaj të shkohet në shpërndarje”, tha Kuçi.

Të mërkurën Kuvendi miratoi me 89 vota Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit, marrëveshje që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale për ndjekjen e krimeve të mundshme të luftës së UÇK-së. 

Sipas Fisnik Korenicës nga Grupi për Studime Juridike dhe politike, Kuvendi nuk do të mund të shpërndahej pa miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Deputeti i LDK-së Arben Gashi pret që këtë javë të merret iniciativa për shpërbërjen e Kuvendit, ndërsa kjo gjë të ndodhë javën e ardhshme.

“Mendoj se gjatë kësaj jave duhet të merret iniciativa, e në javën tjetër duhet të shpërbëhet Kuvendi”, thotë Gashi.

Por “Vetëvendosja” e fajëson qeverinë për gjendjen e krijuar në vend dhe nuk do që fajet e ekzekutivit t’i marrë përsipër Kuvendi.

“Kjo qeveri do të duhej të shkarkohej si përgjigje kryesore për krijimin e kësaj gjendjeje në vend, e jo t’i vihet e gjithë barra Kuvendit”, thotë Rexhep Selimi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai përmend një mocion të vitit 2012 të iniciuar nga VV-ja për rrëzimin e qeverisë.

“Ne qëndrojmë prapa kërkesave tona për shkarkimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme që nga viti 2012 kur edhe e kemi dërguar kërkesën për mocion”, thotë Selimi.

Por subjekti i tij bashkë me LDK-në nuk mbështetën një peticion për rrëzimin e qeverisë të nisur nga AAK-ja në fillim të marsit 2014.

Kuvendi jofunksional

Sipas Arben Gashit, Kuvendi duhet të shpërbëhet se qeveria nuk i ka numrat e nevojshëm të deputetëve.

“Qeveria nuk ka përkrahje parlamentare. Ajo nuk i ka numrat në Kuvend dhe rrjedhimisht asnjë vendim nuk po mund të kalojë në Kuvend”, thotë Gashi.

Të njëjtën arsye për përfundim të parakohshëm të punës së legjislativit e jep edhe Driton Selmanaj.

“Kuvendi i Kosovës ka disa muaj që e ka mundur shumicën në Kuvend dhe kjo qeveri nuk e ka shumicën për të udhëheqë me vendin”, thotë Selmanaj.

Për Fisnik Korenicën subjektet politike po i duan zgjedhjet, ngase askush në kuvend nuk e ka shumicën.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës nuk është qeveri e mazhorancës në Kuvendin e Kosovës, dhe kjo është arsyeja që edhe vetë qeveria, por edhe partitë opozitare janë të interesuara që në afat sa më të shkurtë të shkojnë në zgjedhje”, thotë Korenica.

Korenica e dha edhe një arsye pse partitë po shpejtojnë të mbajnë zgjedhjet. Ai mendon se sa më shumë të shtyhen zgjedhjet, ekziston mundësia më e madhe e vjedhjes së votave.

“Dy partitë më të mëdha, PDK-ja dhe LDK-ja, frikohen që sa më shumë që shtyhet koha e zgjedhjeve, këto dy parti do të kenë vjedhje të votave”, shpjegon Korenica.