Ilustrim

Deputetët Kundërshtues- Lufta e UÇK-së e Drejtë

Pesë deputetë të PDK-së votuan kundër ratifikimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit, edhe pse subjekti i tyre politik e deklaroi votën pro në seancën e Kuvendit të zhvilluar të mërkurën.

Kjo marrëveshje ka brenda vetes edhe themelimin e gjykatës së veçantë që do të merret me krimet e mundshme të kryera nga UÇK-ja dhe me akuzat e dala nga raporti i Dick Martyt i prezantuar në vitin 2010 në Këshillin e Evropës.

Deputeti Nait Hasani e arsyetoi votën e tij kundër me fjalët se gjykata do të ndjekë vetëm krimet e dyshuara të njërës palë.

“Votova kundër ligjit për gjykatën për shkak se nuk mund të votoj kundër vuajtjes së luftës dhe jetës sime, kundër ushtarëve që kanë luftuar për lirinë e vendit tonë”, thai Hasani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Si Hasani nga partia që udhëheq qeverinë votuan edhe Fadil Demaku, Ganimete Musliu e Hydajet Hyseni. Kundër votoi edhe Haxhi Shala.

Musliu tha se shumë herë e ka paralajmëruar votën kundër, duke mos dashur të flasë më tepër, ndërsa Hydajet Hyseni përveç që i tha jo marrëveshjes ishte kundër edhe për shpejtimin e procedurave që e nxorën si pikë të parë të seancës ratifikimin e ujdisë me BE-në.

Kryeministri Hashim Thaçi nga selia e partisë së tij të martën siguroi se PDK-ja do të votojë pro gjykatës.

Njësoj ndodhi edhe me disa deputetë të AAK-së të cilët dolën kundër qëndrimit partiak.

Në emër të kësaj partie para votimit, Ardian Gjini tha se “mosvotimi i tribunalit është dëm i madh”.

Por Ahmet Isufi, Daut Haradinaj dhe Time Kadriaj votuan në kundërshtim me fjalët e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së.

Haradinaj , Kadriaj e Isufi ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së.

“Unë si ish-ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në momentin e fundit kam menduar për të gjitha dhunimet dhe të plagosurit e luftës të cilat vetë i kam trajtuar gjatë luftës së UÇK-së, moralisht e kam dhënë votën kundër”, tha Kadriaj.

Edhe nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi, dha të njëjtën arsye për votën e tij.

“Unë besoj se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është vërtetuar se ka qenë luftë e drejtë dhe nuk ka pasur veprime kriminale në shkallën që të ndërtohen gjykata të tilla ndërkombëtare, prandaj duke besuar në pastërtinë e luftës së UÇK-së kam votuar kundër”, tha Isufi.

Daut Haradinaj nuk deshi të flasë se pse votoi kundër.

Kundër votoi komplet edhe Grupi Parlamentar i “Vetëvendosjes”, ndërsa të gjithë deputetët e LDK-së votuan pro, duke mos tradhtuar qëndrimin partiak.

Lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti tha se me këtë gjykatë “ po bëhet kriminalizimi i luftës çlirimtare [të UÇK-së] në të gjithë botën,  e jo vetëm në Kosovë”.

Pro gjykatës votuan edhe të gjithë deputetët e komuniteteve pakicë.