Kreu i Inspektoratit Kalon Keq në Komision

Doli para Komisionit për Punë të Brendshme… për të treguar rezultatet e Inspektoratit Policor të Kosovës, por Fitim Shishani, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së u përball të martën me pyetje të cilat nuk ishin pjesë e raportit të këtij institucioni për vitin 2013.

Kryetari i Komisionit Ahmet Isufi e pyeti Shishanin se a ka filluar Inspektorati ndonjë hetim lidhur me deklaratat e deputetit Florin Krasniqi.

Deputeti i “Vetëvendosjes” në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së tha para gjashtë ditësh se një pjesë vogël e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës është e lidhur me krimin.

“Ata janë pothuajse krimi i organizuar në Kosovë, ata bëjnë bartjen e parave, bartjen e drogave, ata janë baza e krimit”, tha Krasniqi më 16 shkurt.

Kreu i Inspektoratit, Fitim Shishani iu përgjigj Ahmet Isufit se nuk është identifikuar ndonjë rast i tillë, i përfshirjes së policëve në krim.

“Në bazë të hetimeve është arrestuar një person zyrtar në Prizren në lidhje me keqpërdorimin e detyrës zyrtare”, tha Shishani, duke shtuar se kjo nuk lidhte me përfshirje në krim të organizuar.

Fatmir Xhelili i PDK-së e pyeti Shishanin për pjesëtarët e policisë që nuk kanë kaluar testin e konfidencialitetit nga AKI-ja.

Shishani u mbrojt se për këtë duhet të pyetet Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

“Është punë e AKI-së sepse ata e kanë ligjin e tyre për çdo pretendim për policë që kanë kryer vepra penale dhe si rezultat i veprës penale nuk e kanë marrë certifikatën penale”, tha Shishani.

Me Shishanin polemizoi edhe Anton Çuni, deputet i LDK-së.

“Qytetarët e kanë humbur besimin te Inspektoriati i Policisë dhe nuk kanë besim që për ndonjë padrejtësi që u bëhet nga ana e policisë t’i drejtohen Inspektoratit  të Policisë së Kosovës”, tha Çuni.

Inspektorati Policor i Kosovës ka për detyrë që ta sigurojë një Polici të përgjegjshme, demokratike dhe transparente.

Shishani gjatë prezantimit të raportit tha se 4 për qind të policëve janë hetuar nga Inspektorati. 95 për qind të ankuesve për policë që sillen keq janë shqiptarë, katër për qind serbë dhe 1 për qind të tjerë.

Çuni e akuzoi Shishanin edhe për largim nga puna të punonjësve të Inspektoratit, për të sjellë rreth vetes njerëz të besueshëm për të.

Shishani këto deklarime i quajti të pabaza.

Në fund Ahmet Isufi tha se kritikat nuk janë personale ndaj Shishanit, por kanë për qëllim përmirësimin e punës së Inspektoratit.