ShBA-të dhe BE-ja Apelojnë Për Themelimin e Gjykatës Speciale

Përmes një komunikate të lëshuar të martën për media, ambasada amerikane ka thënë se vendimi i qeverisë i vë interesat afatgjata të Kosovës para shqetësimeve politike afatshkurta dhe ka apeluar nga deputetët që të shfrytëzojnë momentumin për të votuar themelimin e gjykatës speciale.

“Ne tash apelojmë në anëtarët e Kuvendit të Kosovës që të mbajnë këtë momentum,  duke miratuar krijimin e një gjykate të Kosovës për t’u marrë me pohimet serioze nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010. Bota është duke shikuar për të parë a është Kosova e përkushtuar për një proces juridik që me paanshmëri mund t’i zgjidhë këto pohime përfundimisht”, thuhet në deklaratë.

Sipas ambasadës amerikane ky do të jetë një hetim që përqendrohet në individët dhe nuk është gjykim kundër përpjekjeve kolektive të Kosovës për çlirim.

“Krijimi i kësaj gjykate është opsioni më i mirë për mbylljen e këtij kapitulli të historisë së Kosovës”, thuhet në adresimin e ambasadës.

Thirrje për të votuar ligjin e aprovuar nga Qeveria e Kosovës, ka bërë edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Ne u bëjmë thirrje anëtarëve të Kuvendit që të aprovojnë këtë ligj, i cili do të mbështesë tranzicionin e mandatit të EULEX-it dhe i cili do të krijojë një gjykatë speciale për gjykimin e pretendimeve ndaj individëve të caktuar, të cilët mund të kenë kryer, ose mund të mos kenë kryer krime të rënda”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të martën që të dërgojë si projektligj në Kuvend të Kosovës letërkembimin mes presidentes Jahjaga dhe përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme-baroneshës Ashton.

Në këtë letërkëmbim presdientja e Kosovës ka kërkuar vazhdimin e misionit të EULEX-it the krijimin e Gjykatës Speciale.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të mërkurën  për të votuar për disa çështje me rëndësi, duke përfshirë edhe misionin e EULEX-it, e ndoshta edhe Gjykatën Speciale, nëse kjo kërkohet nga ndonjë deputet dhe aprovohet nga kuvendi.

Rreth votimit për krijimin e një Gjykatë Speciale që do të trajtonte pretendimet e një Raporti të Këshilli të Evoprës se gjatë luftës në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ka dalë kundër Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Sipas KMDLNj-së, Gjykata Speciale që pritet të themelohet ndan drejtësi në mënyrë selektive vetëm kundërt një pale luftuese.

“Kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së ndan ‘drejtësi’ ekskluzivisht në baza etnike duke hetuar vetëm shqiptarët që është e papranueshme si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë moral. Sidomos në aspektin e të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo organizatë.

Sipas KMDLNj-së kjo Gjykatë Speciale kundër UÇK-së e devalvon skajshmërisht punën e gjykatave ndërkombëtare (Tribunalit të Hagës, Gjykatave të udhëhequra nga UNMIK-u dhe EULEX-i).

“Ndërsa gjykatat vendore i defaktorizon deri në turpërim”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi njëherëësh kryetar i PDK-së, pas takimit të kryesisë së kësaj partie të martën, ka thënë se kjo parti ka arritur konsensus për votimin pro Gjykatës Speciale.