Sarajeva me Statujë të Papa Gjon Palit II

Statuja e papa Gjon Palit II që kreu këtë detyrë prej vitit 1978 deri në 2005-ën, do të ngrihet ë shpejti në Sarajevë pranë katedrales katolike “Zemra e shenjtë”.

Statuja e ish-papës do të zbulohet më 30 prill, pas një ceremonie të Këshillit të Priftërinjve të Kryedioqezës së Lartë të Bosnjës.

Kardinali boshnjak VVnko Puljiq tha së fundi se shtatorja e papës do të jetë një simbol tjetër i Sarajevës dhe do të prezantojë një nderim kujtimesh për njeriun e respektuar gjerësisht.

 “Njeriu që luftoi për Bosnjën e Hercegovinën, për paqen dhe të mirën e të gjithë njerëzve  që jetojnë në të, nuk duhet të harrohet”, tha Puljiq.

Shtatorja do të jetë e lartë rreth tri metra dhe është vepër e skulptorit Hrvoje Urumoviq dhe do të punohet në Zagreb. Thuhet se ka kushtuar rreth 250 mijë euro.

Papa Gjon Pali II erdhi në Sarajevë në prill të vitit 1997, duke sjellë shpresë për vendin pas luftës së viteve 1992-1995.

Rreth 50 mijë njerëz që mbushën stadiumin e Koshevos në Sarajevë, dëgjuan thirrjen e papës për paqe, falje dhe pajtim.

Ai kërkoi paqe në Bosnjë shumë herë nëpër fjalimet gjatë luftës, për të cilën gjë ai kujtohet si njeri pajtues dhe është i respektuar mes shumë boshnjakëve pavarësisht religjionit të tij.

Franjo Topiq, profesor i teologjisë dhe kryetar i Shoqërisë Kulturore Kroate “Përparimi” (Napredak) tha që shpreson se shumë shpejt papa Gjon Pali II do të shpallet i shenjtë.

 “Vetëm disa papë në histori u quajtën ‘të mëdhenj’ si papa Gjon Pali II”, tha Topiq. “sheshi përballë katedrales është zgjedhur për ta vendosur shtatoren, sepse ai ishte vendi nga i cili gjatë vizitës së vitit 1997 papa përshëndeti dhe bekoi qytetarët”, tha ai.

Papa Gjon Pali vizitoi Bosnjën edhe në vitin 2003, por këtë herë shkoi në Banjallukë.

Drejtuesit e Kishës Katolike në Bosnjë i dërguan ftesë edhe papës së tashëm Françeskut që ta vizitojë këtë vend, ashtu siç bënë edhe krerët e Presidencës treanëtarëshe të vendit.

Mediat boshnjake spekulojnë se papa Françesku do të qëndrojë në një vizitë njëditëshe në Sarajevë gjatë qershorit.

Nga këtu ai do të dërgojë mesazhin e paqes, duke shënuar 100 vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, e cila u shkaktua nga atentati në Sarajevë i trashëgimtarit të fronit të Austro-Hungarisë.

Sidoqoftë, kardinali Puljiq konfirmoi se kjo vizitë nuk do të ndodhë tash dhe papa mund të vijë në vitin 2015. Ai shtoi se vizita e planifikuar është shtyrë për shkak të valës së protestave që nisën në shkurt.

Katolikët janë komuniteti më i vogël fetar në Bosnjë në krahasim me myslimanët dhe të krishterët ortodoksë.

Gati të gjithë katolikët janë të përkatësisë etnike kroate. Megjithatë, Bosnja është vendi i njërit nga tempujt më të mëdhenj katolik të Evropës. Ky tempull ndodhet në Megjugorje, në jugperëndim të Bosnjës, afër qytetit të Mostarit.