Betejë në Kuvend për Ekspozimin e Sërishëm të Duhanit

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë është kundër ndryshimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit të sponsoruar nga ajo dhe të miratuar më 22 maj të vitit të kaluar, Komisioni për Shëndetësi të mërkurën e kaluar votoi që Projektligji për ndryshimin e ligjit të duhanit të shkojë në Kuvend.

Shoqatat e duhanshitësve në Kosovë me një peticion të nisur më 3 korrik të vitit që shkoi deri në fund të 2013-ës mblodhën 10 mijë nënshkrime të qytetarëve për të iniciuar procedurat e ndryshimit të ligjit në Kuvend.

Këtë e pohoi edhe Feim Rushiti, kryetar i Shoqatës së Shitoreve me Pakicë.

“Kemi filluar peticionin vjet diku kah muaji korrik, gusht, pasi ka hyrë ligji në fuqi,  pastaj e kemi proceduar në kuvend”, tha Rushti.

Tregtarët e këtij produkti sipas Ramadan Kelmendit, kryetarit të Shoqatës së Importuesve të Duhanit dëshirojnë që t’u lejohet ekspozimi i pakove të cigareve nëpër vendet ku ato shiten. Për këtë duhet të ndryshohet neni 9, pika 2 e Ligjit të Duhanit që ndalon reklamimin.

Ky nen në këtë pikë nuk lejon produktet e duhanit të vendosen apo të jenë të dukshme në asnjë vend të shitjes, përveç se të jenë të dukshme në momentin e transaksionit të shitjes dhe ato nuk duhet të jenë të shfaqura për qëllime komerciale në asnjë vend tjetër.

Bizneset e lidhura me duhanin pretendojnë se mosekspozimi i produkteve të tilla po i dëmton.

Por, Shkumbin Spahija drejtori i organizatës Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim që monitoron zbatimin e ligjit kundër duhanit, thotë se duhanshitësit nuk e dinë nëse biznesi i tyre po dëmtohet për mosreklamim.

“Në kohën kur nisën peticionin [duhanshitësit] nuk kishin kurrfarë baze se ndalimi i reklamimit po ua dëmtonte biznesin, pasi në korrik 2013 ligji i kishte bërë vetëm 1 muaj e gjysmë që kishte hyrë në fuqi”, thotë Spahija për Gazetën Jeta në Kosovë.

Spahija ua sheh për të madhe deputetëve të Komisionit për Shëndetësi që votuan pro dërgimit të ndryshimeve të kërkuara në Kuvend.

“ Këta që kanë votuar pro, kanë qenë definitivisht të instrumentalizuar”, thotë ai.

Por deputetja e PDK-së Flora Brovina dhe anëtarja e Komisionit për Shëndetësi e arsyeton votën e saj për.

“Komisioni është dashur të shqyrtojë nismën për ndryshimin e Ligjit për Duhanin, pasi që është obligim kushtetues që komisioni kërkesën me peticion ta procedojë në Kuvend”, thotë Brovina.

Propozimi i është dërguar kryesisë së kuvendit që ta fusë në rend të ditës.

Organi drejtues i parlamentit ende nuk ka marrë vendim  lidhur me diskutimin ose jo të kësaj çështje.

Si Brovina votuan të mërkurën që shkoi edhe Fikrim Damka kryetar i komisionit, Time Kadriaj nga AAK-ja , Salihe Mustafa e PDK-së dhe Hamza Balje nga Grupi Parlamentar i SLS-së.

Sipas nenit 79 të Kushtetutës së Kosovës, nismën për të propozuar ligje mund ta marrin Presidenti i Republikës nga fushëveprimtaria  e tij/saj, Qeveria, deputetët e Kuvendit, ose më së paku 10 mijë qytetarë.

Megjithëkëtë, dy nga anëtarët e komisionit votuan kundër dërgimit të Projektligjit për ndryshimin e ligjit të duhanit në legjislativ.

Behri Thaçi nga LDK-ja dhe Gëzim Kelmendi i Partisë së Drejtësisë treguan për Gazetën Jeta në Kosovë se i thanë jo ndryshimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, pasi që një ndryshim i tillë sipas tyre është i dëmshëm për shëndetin publik.

Edhe Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë mendon se ekspozimi i duhanit do të shtojë duhanxhinjtë. 

“Adoleshentët që frekuentojnë dyqane ku duhani reklamohet gjerësisht, kanë dy herë më shumë gjasa për të filluar pirjen e duhanit. Ekspozimi rrit gjasat që të rinjtë të lëvizin nga eksperimentimi me përdorimin e duhanit në përdorim të rregullt”, thotë Hoti, duke shtuar se reklamimi ua bën më të vështirë përdoruesve lënien e duhanit.

Shkumbin Spahija nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim  dëshiron që ligji të mos preket.

“Ata të industrisë së duhanit kanë sjellë po të njëjtat argumente të cilat nuk kanë qenë argumente në fakt, por kanë qenë vetëm disa komente të pabazuara në fakte”, thotë Spahija.

Por Feim Rushiti, kryetar  i Shoqatës së Shitoreve me Pakicë në Kosovë, dëshiron që vetëm të dihet se nëpër dyqane që shitet duhani.

“Neni aktual i Ligjit [neni 9] ndalon tërësisht ekspozimin e duhanit. Ne kemi kërkuar vetëm për t’u dukur një pako nëpër dyqane”, thotë Rushiti.