Krimet e Komunizmit Shfaqen në Ekspozitën e Beogradit

Ekspozita e re në Institutin për Histori Bashkëkohore në Beograd, dokumenton lloje të ndryshme të krimeve të motivuara ideologjikisht nga komunistët në Jugosllavi-terrorin revolucionar në Serbi, gjyqet politike dhe kampet e përqendrimit, kooperativat dhe represionin.

Ajo [shtë hapur nga shkrimtari i njohur serb Dragosllav Mihajloviq, i cili ishte burgosur në Goli Otok, (ishullin e Zhveshur) burgun komunist për të burgosur politikë.

“U bëj thirrje të gjithëve të vijnë dhe të shohin çfarë bënë njerëzit dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë”, tha Mihajloviq.

Por javën e kaluar një grup personash që e quajnë veten anëtarë të “Rnisë Komuniste” u munduan ta parandalojnë hapjen e ekspozitës, duke i quajtur organizatorët fashistë dhe çetnikë, teksa këndonin këngë të kohës së komunizmit.

Dramaturgu serb Dushan Kovaçeviq, i cili foli gjithashtu në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, tha që ajo jep një mesazh që krimet e tilla nuk duhet të harrohen ose të mbeten të pandëshkuara.

“Ata që u vranë në vitin 1945 nuk kanë besuar që dikush do të nderojë viktimat e terrorit të tyre [komunist]. Ne jemi këtu për ta bërë këtë me këtë ekspozitë. Kjo nuk duhet të jetë arsye për të ndarë [njerëzit], por një përkujtues për të ndërtuar monument viktimave. Shpresoj që kjo do të ndodhë”, tha Kovaçeviq.

Autori i ekspozitës Srgjan Cvetkoviq, është ish-anëtar i komisionit shtetëror për gjetjen e varreve të atyre që u vranë në kulmin e regjimit represiv komunist që nga fundi i luftës deri në vitin 1953.

Ai tha se çdo vizitor do ta ketë mundësinë të përjetojë, ose të çlirohet nga kjo periudhë nëpërmjet videove, gjykimeve, simulimeve të marrjes në pyetje, filmave dhe debateve.

“Ideja është që të gjithë materialin e grumbulluar nga komisioni, i cili padrejtësisht ishte harruar, ta prezantojmë para publikut, i cili 70 vjet pasi këto krime kanë ndodhur, nuk di asgjë rreth tyre”, i tha Cvetkoviq BIRN-it në një intervistë vitin e kaluar.

Komisioni shtetëror deri më tani ka gjetur prova që më shumë se 50 mijë njerëz ishin vrarë nga regjimi komunist në Serbi.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 31 gusht.