Partia e Fortë Do që Teatri të Rrotullohet si Pandora Tower

Për Partinë e Fortë Teatri Kombëtar ka emrin e nënkryetarit të PDK-së Kadri Veselit, pasi në krye të këtij institucioni në fillim të prillit u zgjodh Valdet Avdiu, një mik i ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës.

Gati tri javë pas kësaj zgjedhjeje, subjekti që njihet për ironi, sarkazëm e humor, i dëshiroi drejtorit të ri të Teatrit zbatimin e projekteve të tij, në një komunikatë të lëshuar të premten.

“Mezi po presim që të kemi një sallë rrotulluese mbi objektin e teatrit aktual. Besojmë që një shtesë e tillë do të përfaqësonte denjësisht vlerat tona kulturore të cilat rrotullohen në maksimumin e tyre prej 360 shkallësh”, thotë në kumtesë nënkryetari i kësaj partie Dren Maliqi.

Sallën rrotulluese Partia e Fortë ia kërkoi drejtorit të Teatrit, ngase Valdet Avdiu është pronar i hotelit “Pandora Tower”, të ndodhur në “Dragodan” të Prishtinës, pjesa më e lartë e të cilit rrotullohet.

Avdiu u zgjodh nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar i përbërë nga shtatë anëtarë, katër nga të cilët të afërt me PDK-në.

Një ditë pas zgjedhjes së tij, Gazeta Jeta në Kosovë mësoi se në këtë këshill drejtues të emëruar në mars nga ministri Memli Krasniqi ndodhej Haqif Mulliqi, një ish-këshilltar i tij, Fadil Hysaj, ish-këshilltar i kryeministrit, Nëntor Fetiu, kandidati i PDK-së për asamble të Prishtinës dhe dramaturgu Naser Shatrolli, lavdëruesi i punës së ministrit të Kulturës.

Vetë drejtori i zgjedhur i Teatrit, kur foli për gazetën, e pranoi se i ka miq Fadil Hysajn e Naser Shatrollin.

Në këshill bënin pjesë edhe Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës si përfaqësues i MKRS-së, skenaristja Visare Aliu dhe aktorja Igballe Qena.

Zgjedhja e Valdet Avdiut u kontestua menjëherë të nesermen nga kundërkandidati i tij për këtë post-aktori Ardian Morina, por edhe nga subjektet opozitare LDK-ja e AAK-ja, të cilat këtë zhvillim në Teatër e quajtën politik.

Zgjedhjen e komentuan negativisht edhe shumë nga njerëzit kosovarë të kulturës.

Por Partia e Fortë “e pa ndryshe” votimin e Këshillit Drejtues për Avdiun.

“Dy ish-këshilltarë dhe një kandidat i PDK-së për asamblist në Komunën e Prishtinës që ishin anëtarë të këtij këshilli, janë kujdesur që PDK-ja të mos ndërhyjë në këtë proces. Ata kanë luftuar me anëtarët tjerë që t’i bindin ata për votim sa ma të paanshëm”, thuhet në komunikatën e “të fortëve”.

PF-ja e bëri “legjendare” zgjedhjen e Avdiut, por tha se në votim nuk ka ndikuar miqësia e drejtorit me Kadri Veselin.

“Nganjëherë, në përzgjedhjet e mëdha luan rol edhe fati. E Kosova pati fat. Pra miqësia e tij me Kadri Veselin nuk ka ndikuar në përzgjedhjen në atë pozitë”, vijon më tutje komunikata e PF-së.

Të njëjtën e pati thënë edhe Valdet Avdiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Unë e kam mik Kadri Veselin. Por kjo nuk ka ndikuar që unë të përzgjidhem në pozitën e drejtorit”, tha Avdiu, pasi u bë drejtor i Teatrit.

Gazeta i shkroi atëherë edhe Veselit për ta komentuar miqësinë me të zgjedhurin. Veseli ende nuk ka kthyer përgjigje.

“Teatri ‘Kadri Veseli’ me drejtorin e ri hap një kaptinë të re në përmirësimin e këtij arti në Kosovë”, përmbyllet komunikata e Partisë së Fortë.