Militantët në Ukrainën Lindore Shpërfillin Marrëveshjen e Gjenevës

Lideri i vetëshpallur i separatistëve prorusë në qytetin lindor Donetsk të premten ka kundërshtuar marrëveshjen ndërkombëtare të arritur në mes të Rusisë, Ukrainës, dhe Perëndimit për ‘tu larguar nga ndërtesat e pushtuara dhe për të ulur armët.

“Lavrov nuk ka nënshkruar asgjë për ne, ai ka nënshkruar në emër të Federatës Ruse”, tha Denis Pushilin, lideri i të vetëdeklaruarës Republikës së Qytetarëve të Donetskut.
 
Pushilin tha këtë javë se ai dëshiron që më 11 maj të mbahet një referendum, në mënyrë që të marrë pëlqimin e banorëve nëse ata dëshirojnë sovranitet – një hap ky që pritet të përkrahet nga ata të cilët e shohin qeverinë e përkohshme ukrainase si jolegjitime.

Në Slavianski, një qytet i cili është kthyer në pikë të nxehtë të krizës pasi që burra të armatosur me kallashnikovë morën kontrollin fundjavën e kaluar, liderët e separatistëve prorusë janë duke mbajtur një takim në njërën nga ndërtesat që kanë pushtuar ku po diskutojnë se si të përgjigjen për Marrëveshjen e Gjenevës.

Sipas Reutersit, separatistët po qëndrojnë nëpër rrugët kryesore të qytetit, duke legjitimuar veturat në pikat e kontrollit në gjithë qytetin.

 “A do të lëshojmë këto ndërtesa që më pas ata të vijnë e të na arrestojnë neve? Nuk e besoj”, tha një burrë i cili ruante rrugën ku ndodhet zyra e sigurisë, një tjetër ndërtesë e pushtuar nga separatistët.

Derisa tensionet mbesin të larta dhe forcat ukrainase po qëndrojnë në gjendje gatishmërie përballë protestuesve të cilët kanë pushtuar ndërtesat, sfida e rikthimit të qetësisë mbetet e vështirë.

Presidenti i ShBA-ve, Barack Obama, me kujdes e mirëpriti Marrëveshjen e Gjenevës, por tërhoqi vërejtjen se shteti i tij dhe forcat aleate janë të gatshëm të imponojnë sanksione të reja kundër Rusisë, në rast se situata në terren nuk përmirësohet.

ShBA-të, Rusia, Ukraina, dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar të enjten në Gjenevë për disa masa si: ndalje të dhunës, çarmatim të grupeve ilegale dhe amnisti për protestuesit.

Por edhe në kohën kur negociatat në Gjenevë ishin duke ndodhur, presidenti i Rusisë Vladimir Putin e bëri të qartë që intervenimi ushtarak rus në Ukrainë vazhdon të mbetet një mundësi.

Moska mohon se ka ndonjë qëllim të pushtimit – por thotë se e rezervon të drejtën që të mbrojë qytetarët rusfolës në Ukrainën Lindore. 

Në mes shqetësimeve për ndërhyrje të supozuar të Rusisë në Ukrainën Lindore, autoritetet në Kiev thonë se e kanë forcuar kontrollin kufitar për të ndaluar hyrjen e burrave rusë të moshës 16 deri në 60 vjeç. 

(Shkrimi bazohet në raportimet e BBC-së, CNN-it, The Guardian-it dhe Reutersit)