Materiali Për Tribunalin Nuk i Ka Ardhur Kryesisë

Materiali nga letërkëmbimi i presidentes Jahjaga me përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së Catherine Ashton ende nuk i ka ardhur Kryesisë së Kuvendit.

Për këtë arsye mund të ndodhë që çështja e tribunalit për krime të pretenduara të UÇK-së dhe akuza të raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty të vitit 2010 të mos diskutohet dhe votohet në Kuvend të enjten e 23 prillit, në mbledhjen e radhës.

Këtë e tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të premten, kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

“Ne kishim një mbledhje të përshpejtuar, jo të rregullt të Kryesisë së Kuvendit dhe kemi pasur dijeni që do t’i kemi dy pika të rendit të ditës, në fakt ishim të përgatitur vetëm për një pikë të rendit të ditës”, tha Krasniqi.

Krasniqi tregoi se në rendin e ditës së Kryesisë ishin çështjet e zgjatjes së mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet dhe ajo e tribunalit për krime lufte.

“Pika e dytë që është dashur të jetë në rend të ditës dhe nuk është, është aplikimi i marrëveshjes të letërkëmbimit të presidentes së Republikës së Kosovës me zonjën Ashton”, shtoi Krasniqi.

Mosardhjen e materialit për gjykatën në Kryesi, e arsyetoi shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci. Ai tha se çështja e tribunalit është e ndjeshme.

“Kjo të jep për të kuptuar se është duke u përcjellë situata me një kujdes shumë të madh”, tha Grabovci.

Si shefi i tij partiak Hashim Thaçi të enjten, Grabovci një ditë më vonë themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krime të mundshme lufte të kryera nga ish-guerilët kosovarë e cilësoi të padrejtë.

“Themelimi i kësaj gjykate është padrejtësia më e madhe që po i bëhet vendit, por është edhe një e vërtetë e madhe për mua dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës se kemi një proces të hapur i cili duhet të mbyllet”, tha Grabovci.

Visar Ymeri në emër të “Vetëvendosjes” përveç që kundërshtoi tribunalin, e quajti atë të paqartë.

“Kësaj gjykate që herë po quhet gjykatë speciale, herë po quhet tribunal, herë po quhet gjykatë speciale për krime lufte, e kështu me radhë nënkupton në fakt që as emrin nuk po ia dimë e lëre më detajet për të”, tha Ymeri.

Por kryetari i Kuvendit tha se nëse materiali për tribunalin arrin para seancës, ai do t’u shpërndahet deputetëve, të cilët do të vendosin nëse për të do të debatohet në mbledhje.

Mandati i EULEX-it ndryshon ligje të Kosovës

Në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës do të diskutohet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it deri më 15 qershor 2016.

Kryeparlamentari Krasniqi kërkoi transparencë për qytetarët dhe Kuvendin lidhur me këtë çështje, sidomos nga ata që në emër të koalicionit qeveritar kanë diskutuar me BE-në për misionin e saj në Kosovë.

Xheladin Hoxha nga Zyra Ligjore e Kuvendit thotë se Projektligji për Vazhdimin e Mandatit të EULEX-it do të ndryshojë disa ligje.

Sipas tij duhet të ndryshohen: Ligji për Prokurorinë Speciale të Kosovës, Ligji për Zgjedhjen e Lëndëve dhe Caktimin e Lëndëve të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të EULEX-it në Kosovë, Kodi Penal  i Republikës së Kosovës, Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Kodi Doganor dhe i Akcizave të Kosovës.

Visar Ymeri tha se për t’u ndryshuar këto ligje dhe për t’u debatuar për mandatin shtesë dhe të ndryshuar të EULEX-it, deputetëve po u kërkohet të votojnë shmangien nga procedura.

“Konsiderojmë që kjo nguti dhe kjo shkelje e procedurave për shmangie të procedurave është absolutisht e paarsyeshme dhe e papranueshme, sepse zakonisht Kuvendi po vendoset para një ngutie për çështje që kanë të bëjnë më disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionit të shtetit”, tha Ymeri.