Beogradi-Fushatë për Lirimin e Ivanoviqit

Autoritetet e Beogradit së bashku me Partinë Serbia, Demokracia, Drejtësia të Ollliver Ivanoviqit kanë lansuar një peticion të përbashkët të mërkurën duke kërkuar nga autoritetet në Prishtinë për ta liruar politikanin para gjykimit të tij.

“Pa pasur për qëllim ndërhyrjen në procedurë gjyqësore për faktin se ne duam të dëshmojmë pafajësinë e Olliver Ivanoviqit, peticioni synon të tërheqë vëmendjen e prokurorisë që të lirojë Ivanoviqin dhe të dyshuarit e tjerë në këtë procedurë penale,” thuhet në peticion.

Sipas partisë së Ivanoviqit, peticioni mund të nënshkruhet në zyrën në Mitrovicën Veriore.

Ivanoviq ishte arrestuar në janar “si i dyshuar në hetimin për krime të luftës” dhe sipas Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit-EULEX, ai gjithashtu është i dyshuar për përfshirje në dhunën e vitit 2000 kur ngelen dhjetë shqiptarë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur dhe të dëbuar nga shtëpitë e tyre në veri.

Asokohe ai po udhëhiqte “Rojat e Urës”, radikalët serbë që patrullonin në urën kryesore të Mitrovicës që ndan qytetin në pjesën e serbëve dhe shqiptarëve.

Arrestimi i tij ka nxitur pakënaqësi në mesin e serbëve në qytet të cilët dolën në rrugë për të protestuar.

Liderët politikë serbë të veriut të Kosovës gjithashtu deklaruan të mërkurën se nuk do të bashkëpunojnë me policinë e EULEX-it për shkak të arrestimit të djeshëm të serbit lokal Nebojsha Vujaçiq, nën dyshimin e vrasjes gjatë trazirave të vitit 2000.

Ata thanë se “Vujaçiq ishte praktikisht i kidnapuar në kohën kur ai ishte nisur në punë”

Praktika e arrestimit të të dyshuarve serbë në paraburgim 30 ditor, sipas tyre, ka bërë që “të ndërpritet bashkëpunimi me policinë e EULEX-it dhe që ata të shpallen të padëshirueshëm në territorin e komunave të Mitrovicës, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit”.

BIRN-i ka mësuar se rasti i Vujaçiqit ka të bëjë me arrestimet e mëhershme të Ivanoviqit dhe kolonelit në pension të policisë serbe Dragolub Delibashiqit.

Misioni i EULEX-it në një komunikatë të lëshuar të enjten, nuk e quan kidnapim të arrestuarin e kërkuar me urdhër të prokurorit.