Deputetet Duan Shkarkimin e Gjyqtarit që nuk Mbrojti Dianën

Edhe pse PDK-ja dhe Vetëvendosja shumicën e herëve kanë qëndrime krejtësisht të kundërta politike, dy deputete të këtyre dy subjekteve në seancën e Kuvendit të enjten kërkuan të njëjtën gjë.

Deputetet Blerta Deliu dhe Albulena Haxhiu në pjesën e ngritjes së çështjeve jashtë rendit të ditës, i kërkuan presidentes Jahjaga shkarkimin e gjyqtarit Enver Shabanaj.

Ky gjyqtar nuk lëshoi urdhrin për mbrojtjen e Diana Kastratit, edhe pse Kastrati kishte ngritur padi për kërcënim kundër ish-bashkëshortit të saj në majin e vitit 2011 me kërkesën për mbrojtje emergjente.

Ajo ishte vrarë nga ish-burri i saj afër shtëpisë së prindërve, një javë pasi dorëzoi padinë, më 18 maj të vitit 2011.

Dy vjet më vonë, në shkurt të vitit 2013 Gjykata Kushtetuese shpalli se Gjykata Komunale në Prishtinë nuk kishte vepruar sipas Kushtetutës dhe ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje. http://gazetajnk.com/?cid=1,1018,4826

Jahjaga dekretoi Shabanin gjyqtar të përhershëm në prill të këtij viti, pasi ky emër mes të tjerësh i shkoi për dekretim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për herë të dytë.

“Presidentja e vendit nuk e mori mundin për refuzimin e propozimit te KGjK-së, përkundrazi pa kurrfarë mëdyshjeje e dekretoi gjyqtarin i cili ia mohoi Dianës të drejtën për jetë dhe mbrojtje”, tha në Kuvend deputetja e VV-së Albulena Haxhiu.

Por Presidenca në një sqarim për opinion të lëshuar më 12 prill, tregoi se i kishte rezistuar dekretimit të gjyqtarit.

Sipas Zyrës së Presidentes propozimin e parë të KGjK-së për dekretimin e gjyqtarit Shabanaj, Jahjaga e refuzoi në dhjetorin e vitit të kaluar ” për shkak të shkeljeve që i ka bërë në rastin e Diana Kastratit, e që janë evidentuar edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese”.

Presidenca më tutje sqaroi se KGjK-ja në mars ka kërkuar për së dyti që Shabanaj të dekretohet gjyqtar i përhershëm, ndërsa zyra e të parës së vendit i ka kërkuar Këshillit Gjyqësor sqarime shtesë për procedurat e ndjekura gjatë ripropozimit të gjyqtarit.

Pasi ka marrë këto sqarime, Jahjaga dekretoi Shabanajn.

“Presidentja e Republikës së Kosovës bazuar në ligjet në fuqi, nuk mund të kthejë një propozim të dytë të KGJK-së”, thuhet në sqarimin e lëshuar para pesë ditësh.

Por deputetes së PDK-së Blerta Deliu-Kodra nuk i mjaftuan këto sqarime.

“Edhe në rast se ky dekret ka bazë ligjore, mesazhi që përçon jo vetëm te gjysma e popullatës që jemi gra, por edhe te shumë familje kosovare, është johuman dhe jocivilizues për një shtet demokratik i cili po synon integrimin në Bashkimin Evropian”, tha Deliu-Kodra.

Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Ajshe Qorraj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk ka të drejtë ta komentojë këtë çështje, për të sugjeruar kontaktin me kryesuesin e KGjK-së.

Edhe Enver Peci nuk iu përgjigj gazetës për rastin Shabanaj, me arsyetimin se “ndodhej në një takim jashtë Prishtinës”.