Qytetarët Kanë Telashe T’i Lexojnë Orët e Reja të KEDS-it (TV)

Ashtu sikurse shumë konsumatorë të energjisë elektrike, edhe Latif Tahiri nga lagjja “Sheshi i Arbrit” në Prishtinë, shprehet i frustruar me orën e re të regjistrimit të shpenzimit elektrik, e cila sipas tij po i harxhon më shumë se e vjetra.

Por fqinji i tij Adem Tahiri ka dyshime tjera për njehsorin e ri të KEDS-it. Ai thotë se edhe kur i ndalë të gjithë ndërprerësit, ora vazhdon të ecë.

Tahiri e demonstron këtë dhe ndërpren të gjitha siguresat e tij, ndërsa në njehsor paraqiten disa shifra të cilat, zhduken për t’u paraqitur disa shifra tjera, të cilat prapë zhduken për t’ua lënë vendin të tjerave.

Kjo e ka bërë Tahirin të dyshojë se ora është duke regjistruar shpenzim edhe pas ndërprerjes së rrymës.

 “Prej se i kemi vendosë këto orët e reja, këtu ka ndryshuar çmimi shumë. Ne çdoherë kemi paguar 20 deri në 30 euro, tash paguaj 130 euro. Nuk e di a është problemi te orët, apo te punëtorët. Unë kam bërë ankesë para një jave, më kanë thënë për rreth 15 ditë vijmë. Unë edhe pse i ndali të gjithë ndërprerësit, ora prapë punon”, thotë ai.     

Dyshime rreth paraqitjes së këtyre shifrave në kohën kur rryma është e ndërprerë ka edhe Latif Tahiri.

“Unë kam problem me orën e re të rrymës. Faturat që i kam paguar janë rreth 30 deri në 35 euro. Tash paguaj deri në 90 euro. Sot u thashë se ose nuk i keni marrë numrat e saktë, ose inkasanti i shton ma shumë se që janë”,  tha Latif Tahiri.

Të gjithë njehsorët e KEDS-it kalojnë fillimisht nëpër një proces licencimi në Agjencinë Metrologjike të Kosovës, e cila verifikon vërtetësinë e matjes së tyre.

Blerim Sokoli, drejtor i përgjithshëm i kësaj agjencie, sqaron se pse në këta njehsorë paraqiten informata dhe numra të ndryshëm edhe pas fikjes së tyre. Sipas tij këto janë informacione  të shpenzimeve të mëhershme dhe jo regjistrim i ri.

“Cikli i paraqitjes së informatave është informata e shpenzimit të përgjithshëm të energjisë, mandej vjen informata se sa është shpenzuar në tarifën 1 dhe sa është shpenzuar në tarifën 2, janë edhe disa informata tjera ku nënkuptohet edhe vetë numri i njehsorit”, i tha ai Gazetës Jeta në Kosovë.

Sa i përket ankesave të shumta të konsumatorëve për fatura më të larta me njehsorët e rinj, Sokoli tha se kjo ndodh për shkak se orët e reja nuk lejojnë keqpërdorimin e energjisë elektrike.

“Arsyeja pse ZRrE-ja ka lejuar dhe obliguar KEDS-in, edhe KEDS-i në interes personal ka ndërmarrë ndërrimin e orëve, është pikërisht pamundësia e keqpërdorimit të kohës së tarifës kur shfrytëzohet me të lirë e kur me të shtrenjtë. Përderisa njehsorët elektromekanikë nuk e kanë të inkorporuar tariforin i cili e bën ndërrimin kur ka mu regjistru, por është një pajisje shtesë anash, e cila në këtë rast mund të manipulohet”,  shpjegon Sokoli.

Ai thotë se në bazë të Ligjit të Metrologjisë Agjencia e Metrologjisë së Kosovës është i vetmi institucion i cili konstaton ligjërisht saktësinë e matjes së një njehsori.

E kur është fjala për ankesat e konsumatorëve, Sokoli thotë se ata duhet të ankohen në këtë agjenci, e jo në KEDS.

Në këtë drejtim, sipas tij, kjo i shkakton telashe edhe vetë KEDS-it, sepse në rastet kur kjo korporatë vlerëson se një konsumator po e keqpërdorë energjinë elektrike dhe vendos ta çojë lëndën në gjykatë, kjo e fundit nuk do ta marrë parasysh, për shkak se Agjencia e Metrologjisë së Kosovës nuk e ka bërë paraprakisht ekspertizën e orës së caktuar.

Në fillim të vitit AMK-ja kishte suspenduar verifikim e njehsorëve “AEF.TF-01” të prodhuesit “Kohler”, pas dyshimeve për çrregullime në punën e tyre.

Por më 7 prill të këtij viti, kjo agjenci ka hequr masën e përkohshme të suspendimit për këta njehsorë, meqë sipas drejtorit të përgjithshëm të AMK-së, pas analizave laboratorike që u janë bërë këtyre njehsorëve elektrikë ka dalë se ata janë në rregull.

Edhe zëdhënësi i KEDS-it Guri Shkodra, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se për dallim prej njehsorëve mekanikë, njehsorët digjitalë përfaqësojnë klasë të avancuar të saktësisë.

“Për dallim prej njehsorëve mekanikë, njehsorët digjitalë përfaqësojnë klasë të avancuar të saktësisë, kanë të integruar orën tarifore dhe mund të programohet sistemi tarifor i aprovuar nga ZRrE-ja. Ata memorizojnë gjendjen e kilovatëve të shpenzuar për 12 muaj, nuk kanë nevojë të servisimit, nuk mund të manipulohen nga konsumatorët”, tha Shkodra.