Jacobson Mbron Punësimin e Dell-it në “Bechtel”

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 15.04.2014

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Jacobson, thotë se pas shërbimit diplomatik në Kosovë ose do të vazhdojë misionin si diplomate, ose do të kthehet në shtëpi.

“Do të jetë vështirë të gjendet diçka si Kosova”, ka shkruar ambasadorja në profilin e saj në Twitter, e pyetur nga një qytetar (@BledSyla) se ku do të punësohet kur ta lë Kosovën.

Ajo më pas ka mbrojtur kolegun e saj Christopher Dell, i cili pas shërbimit diplomatik në Kosovë është punësuar në kompaninë, për të cilën sa ishte ambasador në vend kishte lobuar që ta fitojë tenderin 820 milionë dollarësh për të ndërtuar “Rrugën e Kombit”.

Për Jacobson fakti që Dell është punësuar në një kompani private nuk përben ndonjë konflikt interesi.

Në rrjetin social Twitter, Jacobson është pyetur nga i njëjti qytetar për punësimin e Dellit në “Bechtel” që së fundmi ka fituar edhe tenderin 600 milionësh për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

 “Nuk ka rregulla që ndalojnë punësimin në kompani private pas daljes në pension”, ka shkruar ambasadorja Jacoboson.

Komunikimi i Jacobsonit në Twitter

Sipas saj punonjësit e Departamentit të Shtetit duhet të informojnë Zyrën Qendrore në qoftë se fillojnë punën si konsulentë pas daljes në pension.

“Të punësuarit gjithashtu duhet të përmbahen nga involvimi i mëtutjeshm në kompani, me të cilat shpresojnë se do të fillojnë punë konsulence”, ka shtuar para disa minutash Tracy Jacobson.

Të hënën, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN dhe gazeta britanike “The Guardian” publikuan hulumtimin në të cilin zbulohet se Christopher Dell, një diplomat karriere i nominuar nga Barack Obama për të përfaqësuar SHBA-të në Prishtinë, është punësuar nga “Bechtel Corporation” pasi e ka ndihmuar kompaninë që të fitojë kontratën për të ndërtuar autostradën në Kosovë.

Përderisa vetë Dell nuk ka pranuar të komentojë për këtë çështje.

Ambasadorja nuk është përgjigjur në pyetjen nëse Dell e ka informuar Zyrën Qendrore të Departamentit të Shtetit për qëndrimin eventual të këtij departamenti për këtë çështje.
 
“Nuk jam në pozicionin që të adresoj këtë çështje, sepse kjo ka ndodhur përpara se unë të jem këtu”, tha Jacobson.