Arrestohet në Veri i Dyshuari për Vrasjen e Enver Zymberit

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit ka arrestuar një 32 vjeçar të premten në fshatin Zupç të pjesës veriore të vendit.

“I dyshuari i arrestuar është dërguar në bazën e EULEX-it në Mitrovicë për marrje të mëtejshme në pyetje. Urdhër-arresti është lëshuar nga UNMIK-u më 2011”, bëri të ditur EULEX-i.

Gazeta jeta në Kosovë mësoi se i arrestuari është Radovan Radiq, i dyshuar për vrasjen e policit shqiptar, Enver Zymberit më 26 korrik të 2011-ës.

EULEX-i shpjegoi se “arrestimi është kryer si pjesë e një hetimi për vrasje që është duke vazhduar, ku përfshihen veprat e dyshuara penale të vrasjes së rëndë, tentim- vrasjes së rëndë, pronësisë, kontrollit, posedimit të paautorizuar të armëve dhe pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Lidhur me vrasjen e Zymberit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte lëshuar kohë më parë një urdhër-arrest ndaj Ratomir Bozoviqit, Radovan Radiqit, Millovan Vllaskoviqit, Sllobodan Vuçiniqit, Dushan Jovanoviqit dhe Radisa Vuçiniqit.

Vuçiniqi ishte arrestuar dy vjet më parë, për t’u liruar pas intervistimit.

Enver Zymberi u qëllua për vdekje më 25 korrik 2011, kur Qeveria e Kosovës nisi forcat e saja policore për të vënë nën kontroll pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak në veri të vendit.  Zymberi vdiq një ditë më pas.

Këto pika nuk kontrolloheshin nga institucionet kosovare që nga viti 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës.