Projektligji Për Arsimin e Lartë Nuk Kalon në Kuvend

Kuvendi i Kosovës, të enjten nuk arriti të miratojë Projektligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë, për shkak të mungesës së numrit të deputetëve.

Në seancën e Kuvendit ishin të pranishëm vetëm 57 deputetë.

Kurse sipas, kryetarit të  Kuvendit Jakup Krasniqit për t’u miratuar projektligji në fjalë, përveç se duhet të votojnë shumica e deputetëve shqiptarë, nevojiten edhe 13 vota të deputetëve nga komunitetet pakicë.

Ministri Ramë Buja, gjatë prezantimit të Projektligjit tha  ky ligj ka për qëllim ta vendosë bazën ligjore për rregullimin, financimin, sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, në përputhje me standardet evropiane.

Projektligji sipas Bujës përcakton edhe rolin e shtetit dhe shoqërisë në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë.

Sipas tij, ndryshimet dhe plotësimet në këtë projektligj nuk kanë kosto shtesë buxhetore, por projektligji do të ketë kosto të njëjtë si kur u miratua në vitin 2011.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e projektligjit kërkoj nga ju që ta miratoni këtë projektligj dhe të jepni kontributin tuaj profesional për ta bërë më mirë se që ishte”, shtoi ministri Buja.

Deputeti i PDK-së Ramë Vataj propozoi rol më të qartë për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Kompetencat e Agjencisë të Kosovës për Akreditim duhet të bëhen të qarta, të ndara prej MAShT-i dhe duhet të theksohet se vendimin për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë e lëshon MAShT-i, duke u mbështetur në Vendimin  eKëshillit Kombëtar të Cilësisë”, tha Vataj.

Ky këshill është një trup i përbërë nga gjashtë anëtarë vendas dhe tre ndërkombëtarë me kompetencat për të akredituar institucionet e arsimit të lartë. Këtë gjë KKC-ja e bën me shumicë të thjeshtë votash.

Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së tha se ky projektligj është shumë i rëndësishëm, por propozoj disa ndryshime.

Vataj kërkoi diskutim të mëtutjeshëm për kriteret që duhet të plotësojnë subjektet e arsimit të lartë për t’u akredituar.

Deputeti i LDK-së Sadri Ferati foli për autonominë e plotë të universitetit në mënyrë që “të mos definohet ndarja e buxhetit në parafushata dhe pasfushata sipas dëshirave”.

“Nuk është në rregull që kryeministri në parlament të shpallë rritje të pagave për institucione që ligji ua ka garantuar autonominë”, shtoi Ferati, për të nxitur reagimin e kryeministrit Thaçi.

“Rrogat rriten nga 1 maji. Mos u merrni më me këtë çështje, punëtorët janë të të gjitha partive”, tha Thaçi.

Kurse, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i tha kryeministrit të mos e përdorë Kuvendin për të bërë fushatë, por të shkojë në seli të PDK-së e ta bëjnë një gjë të tillë.

Edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi, nga Grupi parlamentar i AAK-së tha se kryeministri është i shqetësuar me veprimet e tij në fund të mandatit kur “me kamera në shpinë u nis me ngrënë pasul dhe gullash në mensë”.

“Studentin që shfaqi mendim ndryshe e grushtoi. Në rregull që dëshiron të bëhesh popullist dhe për fushatë të tregosh solidaritet me studentë, mirëpo s’ke të drejtë për t’i rrahur ata të cilët eventualisht mendojnë ndryshe”, i tha ajo Thaçit.

 Ajo shtoi se universiteti duhet të depolitizohet, derisa deputeti i Vetëvendosjes Afrim Kasolli shfaqi mendimin se ky projektligj nuk do ta përmirësojë substancialisht krizën në të cilën ndodhet arsimi i lartë.

16:21

Ministri Agani Kritikat Ndaj Tij i Quan Elektorale

Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës ministri i Shëndetësisë Ferid Agani u vlerësua drejtues i keq i kësaj ministrie. Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu kritikoi ministrin për mungesë reformash, ndërsa deputetja Aurora Bakalli e Lëvizjes për Bashkim për problemet në Klinikën e Kardiologjisë. Agani u tha të dyve se po kritikojnë për qëllime zgjedhore.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës kritikoi ministrin Ferid Agani për mungesë reformash dhe përmirësimesh në shëndetësi, pavarësisht që ky ministër dhe Partia e tij e Drejtësisë janë në koalicion me subjektin politik të Haxhiut.

“Le që nuk ka ndonjë reformë në sektorin e shëndetësisë, por mund të themi se nuk ka kurrfarë përmirësimi. Përkundër rritjes së buxhetit për listën esenciale të barnave, ato sërish mungojnë dhe premtimi i ministrit Agani ka dështuar në tërësi”, tha deputeti Haxhiu.

Për vitin 2014 sipas skemave të buxhetit të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë do të ketë 6 milionë euro më tepër se vitin e kaluar.

Kritikat e Haxhiut, ministri Agani i quajti elektorale.

“Është qartë se kemi hyrë në periudhë të fushatës parazgjedhore dhe deputetët po i shprehin qëndrimet e tyre në funksion të ngritjes së rejtingut të tyre, por disa të pozitës nuk po i kuptoj, sepse po krijohet një konfuzion politik edhe në opinion”, tha Agani.

Agani shtoi se Qeveria mund të krenohet me atë që ka bërë Ministria e Shëndetësisë.

Por Bekim Haxhiu vazhdoi me replikat e tij, duke e akuzuar ministrin se në Odën e Mjekëve të Kosovës ka emëruar miq të tij me profesion neuropsikiatër.

Kryetarja e Odës së Mjekëve të Kosovës Zylfije Hundozi është zgjedhur në krye të këtij institucioni në nëntor të vitit të kaluar. Në vebfaqen e Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së parë të pasluftës (2001-2004) profesioni i Hundozit është pikërisht neuropsikiatre.

Hundozi e quajti të painformuar deputetin Haxhiu, kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë për të folur rreth saj se a është zgjedhur në krye të Odës së Mjekëve vetëm pse është e një lëmi me ministrin Agani.

“Bekimi [Haxhiu] nuk i ka përcjellë senet se unë jam zgjedhë në Kuvend të Odës së Mjekëve. Aty kanë qenë 130 mjekë prej krejt Kosoves edhe kemi qenë katër kandidatë për kryetar”, tha Hundozi.

Hundozi tregoi se për të qenë pjesë e kësaj gare, paraprakisht duhej siguruar nënshkrimet e 20 anëtarëve të Kuvendit të Odës së Mjekëve.

“Në raundin e parë unë dhe Fadil Beka kemi fituar, unë kam pasur me se shumti vota, kemi hyrë në balotazh edhe në raundin e dytë kam fituar. I kam marrë 87 vota”, shpjegon Hundozi, duke shtuar se fitorja nuk ka të bëjë me atë se është neuropsikiatre.

Haxhiut për Odën e Mjekëve iu përgjigj në Kuvend edhe ministri Agani.

 “Oda e Mjekëve është në proces të mirë dhe MSh-ja do ta mbështesë fuqishëm. Jemi në proces të zgjedhjeve në odën farmacistëve dhe stomatologëve”, iu përgjigj Agani Haxhiut.

Më tutje Haxhiu foli fjalë edhe më të rënda për Aganin.

“Prandaj nuk mundem pa i thënë ministrit Agani, i cili thotë që për ta trajtuar një pacient me probleme psikike duhet një neuropsikuatër, ndërsa një neuropsikiatër ka nevojë për dy, a unë po them që Ferid Agani ka nevojë për tre”, shtoi Haxhiu.

Aganin  e kritikoi edhe deputetja e Lëvizjes për Bashkim Aurora Bakalli për Klinikën e Kardiokirurgjisë.

“Premtimet tuaja kur u hap kjo klinikë ishin shumë më të mëdha. Tash ka kaluar më shumë se një vit që është hapë kjo klinikë dhe janë operuar vetëm 36 pacientë”, i tha deputetja Bakalli, ministrit Agani.

Ajo këtë klinikë e quajti fantome.

Edhe Bakallit Agani iu përgjigj me fjalët se kritikat e tilla janë në funksion të fushatës parazgjedhore.

“Se a është Klinika e Kardiokirurgjisë fantome, është mirë që të pyeten këta 36 pacientë që janë operuar në këtë klinikë”, shtoi Agani.

14:02

Topalli, Thaçi e Beqaj Replika për Bujqësinë

Deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli gjatë kohës së pyetjeve parlamentare kërkoi shpjegim nga kryeministri Thaçi për rritjen që i pari i qeverisë përmendi për sektorin e bujqësisë. Thaçi tha nga fundi i marsit se për bujqësinë gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të ndahen 500 milionë euro. Buxheti i këtij sektori për vitin që vjen është planifikuar të jetë vetëm 29 milionë euro.

Deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli kritikoi kryeministrin Thaçi në seancën e Kuvendit pasi që sipas tij kreu i ekzekutivit po premton miliona euro për sektorin e bujqësisë pa planifikim paraprak.

“Kryeministri Thaçi me fushatën parazgjedhore ka premtuar 500 milionë euro për bujqësi,  ndërsa për vitin e ardhshëm i ka planifikuar vetëm 29 milionë euro, po ashtu edhe për vitin 2016, 29 milionë euro”, tha deputeti Topalli.

Thaçi 500 milionët për bujqësi i përmendi më 24 mars, kur u takua me prodhuesit e patateve të një fshati të Vushtrrisë. Ai i mbrojti këto fjalë edhe në Kuvend.

“Për çdo vit, duke filluar nga viti i ardhshëm, do të ndahen nga 120 milionë euro në vit. Buxheti tash me rishikim do të rritet, pra investimet në katër vjetët e ardhshëm do të jenë 500 milion euro”, u përgjigj Thaçi.

Ai për ta bërë përgjigjen e tij më bindëse ftoi ministrin e Financave Besim Beqajn që të flasë për aspekte buxhetore.

“Korniza Afatmesme e Shpenzimeve është në proces, tanimë ka filluar konsultimi me të gjitha organizatat buxhetore në bazë të ligjeve. KASH-i do të prezantohet deri në fund të këtij muaji, pra 30 prill”, mbështeti shefin e tij Beqaj.

Por deputeti Topalli vazhdoi përballjen me Thaçin e Beqajn.

“Çështja qëndron se në buxhet keni planifikuar vetëm 29 milion për vitin 2015, ndërsa për vitin 2016 asnjë cent me shumë,  kështu që është kundërthënëse kjo”, shtoi Topalli.

Por Beqaj siguroi deputetin e VV-së se nga viti i ardhshëm për bujqësi do të jepen së paku 100 milionë euro në vit nga buxheti, donacionet dhe fondet.