Gjashtë Vjet të Kushtetutës-Probleme në Zbatim

Kryeministri Hashim Thaçi në përvjetorin e gjashtë të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, tha se ajo po zbatohet në çdo cep të vendit.

“Në bazë të kësaj kushtetute kemi arritur të vendosim sovranitetin dhe integritetin territorial duke garantuar këtë sovranitet me policët tanë në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, edhe pikat në Jarinje dhe Bërnjak”, tha Thaçi.

Por pikërisht të kundërtën për këta gjashtë vjet të ekzistimit të Kushtetutës, e tha analisti Shpend Kursani.

“Kjo Kushtetutë dhe ligjet që dalin, përcaktojnë qartë përdorimin e simboleve shtetërore, ndërkaq ato në praktikë shkelen jo vetëm në veriun e vendit, por në gjithë territorin e saj, duke pasur kështu dokumente gjyqësore, doganore, zgjedhore, e dokumente tjera të rëndësishme që nuk përmbajnë më simbole shtetërorë”, tha Kursani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Edhe kryeparlamentari Krasniqi i pranishëm në ceremoninë e shënimit të ditës së miratimit  të Kushtetutës kërkoi që dispozitat e saj të zbatohen në tërë territorin e vendit.

“Pa pavarësinë nuk do të mund të kishte kushtetutë dhe pa zbatimin e plotë të kushtetutës në gjithë hapësirën e Kosovës nuk mund të flitet pa pavarësi të plotë”, tha Krasniqi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës më 9 prill të të njëjtit vit miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ajo hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Kursani përmendi “Listën Serbe” si rast të dhimbshëm të shkeljes së Kushtetutës.

“Rasti më i qartë dhe më i dhimbshëm i shkeljes së sovranitetit të vendit  dhe në fakt vënies së saj [Kushtetutës] nën ndikimin e Serbisë është lejimi i pjesëmarrjes së subjektit politik ‘Lista Srpska’ në zgjedhjet në Kosovë”, tha Kursani.

Por presidentja Jahjaga lavdëroi Kushtetutën.

“Kjo kushtetutë garanton lirinë e secilit qytetar të vendit tonë pa dallime dhe ngërthen në vete të drejtat universale të njeriut. Është një akt i bazuar në parimet e lirisë, paqes dhe të demokracisë”, tha Jahjaga.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, miratimin e Kushtetutës e cilësoi një akt të pritur gjatë nga kosovarët.

“Miratimi i kushtetutës më shumë se një akt juridik dhe politik është një akt i synuar gjatë dhe fisnik për qytetarët e shtetit të Kosovës”, tha Kuçi.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, aktin më të lartë juridik të vendit e konsideroi me standard evropian.

“Kushtetuta sanksionon ndarjen e pushteteve, sundimin e ligjit, respektin e të drejtave të minoriteve. Këto cilësi themelore e bëjnë Kushtetutën e Kosovës si një ndër kushtetutat me standard më të lartë evropian”, tha Hasani.

Thaçi e Krasniqi gjatë fjalimeve të tyre u pajtuan në një pikë. Të dy thanë se Kushtetuta respekton të drejtat e komuniteteve.