Zhurmë Pro dhe Kundër Thaçit në Mensën e Studentëve (TV)

Studentë të organizatës “Studim, Veprim, Kritikë”, i përgatitën një befasi të pakëndshme kryeministrit Hashim Thaçi, kur kreu i ekzekutivit doli nga mensa e studentëve të martën në mesditë. 

Thaçi vizitoi kuzhinën ku ushqehen studentët e Universitetit të Prishtinës, gjashtë ditë pasi me vendim qeverie, përveç tjerash përgjysmoi edhe pagesën për ata që ushqehen në mensë.

Ai po përgatitej të fliste për gazetarë te hyrja e mensës, kur dy aktivistë të SKV-së e quajtën “hajn dhe mashtrues”, ndërsa njerëz të tjerë filluan ta brohorisin emrin e kryeministrit.

Truprojat e kreut të qeverisë larguan me shpejtësi aktivistët, por Thaçi nuk mundi ta vazhdojë fjalimin nga zhurma.

“Ne do të vazhdojmë me… Ne do të vazhdojmë që…”, u mundua të flasë Thaçi, për t’u kthyer përsëri në mensë derisa situata të qetësohet.

Arlind Manxhuka, aktivist i organizatës studentore “Studim, Veprim, Kritikë”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ata që e fyen kryeministrin ishin pjesëtarë të kësaj organizate.

“Ky ka qenë një aksion simbolik ndaj kryeministrit Thaçi”, shtoi Manxhuka.

Disa medie raportuan se kishte pesë të arrestuar, por policia e demantoi këtë.

“Policia nuk ka ndaluar, ose arrestuar studentët të cilët kanë sharë kryeministrin Thaçi”, tha Agron Borovci, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.

Por Manxhuka i SKV-së u ankua për sjelljet e sigurimit të kryeministrit.

Kryeministri Thaçi, më pas doli dhe mbajti fjalim para gazetarëve ku u zotua se vendimet e qeverisë për uljen e semestrit dhe pagesave të tjera për studentë do të zbatohen.

Me propozimin kryeministrit Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës, me 2 prill  ka miratuar vendimin për zvogëlimin e pagesës së semestrit për studentët në nivelin bachelor dhe master të të gjitha universiteteve publike në Kosovë për pesëdhjetë për qind. Studentët do të paguajnë pesëdhjetë për qind më pak edhe për strehim dhe ushqim në qendrën studentore.

Një fotografi nga dreka me studentë Thaçi e ka postuar edhe në faqen e tij të Facebook-ut. Ai as në rrjetin social, as kur doli për së dyti para gazetarëve nuk komentoi incidentin me SKV-në.