Zgjedhjet Nën Hijen e Kryqit Gjigant

Kryqi i çeliktë, i cili sipas autorëve do të jetë mbi 50 metra i lartë, është duke u finalizuar shpejt në komunën Aerodom të Shkupit. Ai pritet të përurohet për pashkët ortodokse më 20 prill.

Derisa iniciuesi i projektit, Kongresi Botëror Maqedonas (KBM) insiston që kjo ngjarje do të jetë vetëm kulturore, inaugurimi është përcaktuar të ndodhë pak para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme më 27 prill.

 “Këtë vit, populli i Maqedonisë do të shënojë ringjalljen e Krishtit me kryqin e tretë më të madh në botë”, tha kryesuesi i KBM-së Todor Petrov.

Ai tha se kryqi me ngjyrë ari do të peshojë 80 tonë, do të jetë 56 metra i lartë dhe do të ketë gjerësinë prej 34 metrash.

Gjatë ceremonisë në nëntorin e kaluar, u tha se kryqi do të jetë shumë më i vogël, 22 metra lartësi, për të simbolizuar moshën e Jezusit kur vdiq. Kryqi po ndërtohet me donacione, thotë KBM-ja.

Kongresi shihet si i afërt me partinë në pushtet. Këshilli i Komunës Aerodrom ka lejuar ndërtimin e këtij kryqi me votat e deputetëve komunalë të VMRO DPMNE-së.

Maqedonia tashmë ka një kryq të lartë 66 metra, të vendosur në malet Vodno në Shkup. Kryqi quhet ‘Kryqi i Mileniumit’ dhe është ngritur me ndihmën e qeverisë në vitin 2001, e cila atëherë ishte e kontrolluar nga VMRO DPMNE-ja.

Sikur edhe kryqi i lartë në Malin Vodno, edhe kryqi i ri ka potenciale që të shkaktojë tensione etnike dhe fetare në Maqedoni, e cila ka një numër të madh të komunitetit mysliman shqiptar.

Disa maqedonas shekullarë e konsiderojnë këtë kryq një shtesë të panevojshme në peizazh.

Vendimi për të miratuar kryqin rrodhi në mes të spekulimeve të rrjeteve sociale që thoshin se një projekt investimi i Turqisë për ndërtimin e katër rrokaqiejve do të mund të ndryshonte demografinë e zonës së Aeroportit në disavantazh të maqedonasve të krishterë.

Disa druajnë nga fluksi i blerësve myslimanë në bastionin e maqedonasve të krishterë ortodoksë.

Ndërtimi i kryqit gjigant është paralajmëruar njëkohësisht kur edhe u mohuan thashethemet që turqit kanë planifikuar ndërtimin e xhamive këtu.

Autoritetet komunale dhe Kongresi Botëror i Maqedonisë mohojnë faktin se kryqi ka të bëjë diçka me komunitetin mysliman, ose se ai po ndërtohet nga frika që mund të prodhojë projekti turk.

“Kryqi nuk është as konspiracion dhe as provokim, por është një afirmim kulturor. Nuk është një simbol kundërislamik, por është pjesë përbërëse e kulturës maqedonase”, thuhet në deklaratën e Kongresit Botëror Maqedonas të lëshuar në nëntor.

Derisa maqedonasit janë të krishterë ortodoksë, shqiptarët kryesisht me fe islame përbëjnë një të katërtën e popullatës.

Raundi i parë i votimeve për zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë mbahen më 13 prill. Raundi i dytë me dy kandidatët më të votuar gjatë garës do të mbahet dy javë më vonë, më 27 prill, krahas zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në të njëjtën datë.