Cinizmi i Padive për Gjenocid Kroaci-Serbi

Gjatë muajit të kaluar, Kroacia dhe Serbia kanë paraqitur dëshmi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në rastet gjyqësore që të dyja shtetet kanë ngritur kundër njëra-tjetrës. Këto raste binjake për akuza gjenocidi tashmë janë emëruar me emrat e duhur si të kota, të përcaktuara paraprakisht, si dhe idioteske. Personalisht, mendoj se fjala idioteske e mbulon këtë mjaft mirë.

Duke i ndjekur hapat e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila në vitin 1993 kishte paraqitur rast gjyqësor shumë më serioz kundër Serbisë për akuza për gjenocid (por që e kishte humbur rastin në vitin 2007), Kroacia e filloi procesin e saj gjyqësor për akuza gjenocidi kundër Serbisë në vitin 1999. Akuza pretendon se forcat e Serbisë dhe ato të kontrolluara nga Serbia kanë kryer gjenocid kundër qytetarëve kroatë gjatë luftës së viteve 1991-92, duke përfshirë masakrat në Vukovar, Knin dhe në pjesë të Sllavonisë dhe Dalmacisë.

Për të mos mbetur prapa, Serbia hapi rast kundër Kroacisë në vitin 2010. Ndonëse kryesisht e përqendruar në eksodin e pakicës serbe në Kroaci në vitin 1995 pas operacionit “Stuhia” të zhvilluar nga ushtria kroate, rasti i Serbisë e përfshin një periudhë historike shumë më të gjatë sesa ajo e luftës në Kroaci gjatë viteve të nëntëdhjeta.

Ky rast  i përshkruan edhe krimet e Kroacisë kundër serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i paraqet ato si kontekst historik për ta kuptuar gjenocidin e pretenduar të Kroacisë ndaj serbëve në vitet e nëntëdhjeta.

Në bazë të dëshmive, të dyja rastet gjyqësore janë shumë afër të qenët absurde. Çdo gjykatë ndërkombëtare me emër duhet t’i hedhë ato poshtë, për shkak se krimet e përshkruara, ndonëse të jashtëzakonshme, brutale dhe tmerruese, nuk bien nën asnjë përkufizim, të krimit ndërkombëtar të gjenocidit. Në mënyrë që krimi të përcaktohet si gjenocid, ai duhet të jetë rast i qartë i qëllimit specifik për shkatërrimin e një grupi etnik (racor apo fetar) – nivel mizorie që asnjë prej krimeve në rastet gjyqësore të Serbisë dhe Kroacisë nuk e përmbushin.

Kjo është arsyeja pse GjND-ja, në aktvendimin e saj të mëparshëm lidhur me pretendimin e Bosnjës për gjenocid të kryer, ka përcaktuar se i vetmi krim i kryer në Bosnje që përshtatet me përshkrimin e gjenocidit është ai i Srebrenicës. Ngjashëm me këtë, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi gjithashtu e ka përcaktuar vetëm Srebrenicën si rast gjenocidi (ekziston edhe një rast tjetër me një akuzë të mundshme për gjenocid që aktualisht është në pritje për shkak të ankesës). Meqë GjND-ja ka juridiksion për këtë rast vetëm sipas nenit IX të Konventës mbi Gjenocidin, kur krimet nuk përbëjnë gjenocid – GjND-ja nuk ka zgjidhje tjetër pos t’i hedhë poshtë rastet gjyqësore.

Sidoqoftë, këto procese gjyqësore u janë paraqitur qytetarëve serbë dhe kroatë nga ana e qeverive, avokatëve të rastit dhe nga shumica e mediave, si raste me domethënie historike të cilat një herë e përgjithmonë mund ta përcaktojnë atë që ka ndodhur gjatë luftës, se kush ishte agresori, kush ishte viktima dhe se kush do të paguajë për riparimet. Rasti gjyqësor edhe më i gjerë i Serbisë shkon deri aty sa bëhen përpjekje për të vërtetuar diçka si qëllim gjenocidial të pranishëm gjatë historisë së Kroacisë të Shekullit XX, për t’i shpjeguar abuzimet e vazhdueshme të këtij shteti ndaj pakicës së saj të përkatësisë serbe. Papërgjegjësia e të gjitha këtyre pretendimeve është mahnitëse.

Pretendimet e çuditshme që janë bërë në rastet gjyqësore, megjithatë, kanë më shumë kuptim kur shikohen si asgjë më shumë se vazhdimësi e politikave të caktuara nacionaliste të të dyja shteteve. Këto raste binjake kanë qenë krejtësisht politike që nga fillimi. Kroacia e ka paraqitur rastin e saj në vitin 1999, në ditët fundit të presidencës së ish-presidentit Franjo Tugjman. Tugjman e kishte udhëhequr “Luftën kroate  atdhetare” (siç quhet lufta e viteve 1991-95 në Kroaci) si përgjigje ndaj asaj që Kroacia e shihte si agresion serb kundër shtetit të ri të pavarur.

Për legjitimitetin e shtetit të ri kroat ishte tejet e rëndësishme që të demonstronte se ai kishte lindur nga një përpjekje e drejtë për liri kundër dominimit serb. Po ashtu për vazhdimin e këtij tregimi shtetëror ishte e rëndësishme që të refuzohej çdo pretendim se Kroacia e re dhe e pavarur kishte lindur si rezultat i një krimi kundër njerëzimit- dëbimit të shumë nga pjesëtarët e pakicës së saj serbe, rreth 200,000 veta, si rrjedhojë e fitores së Ushtrisë së Kroacisë kundër rebelëve serbë në vitin 1995.

Ky tregim themelor shtetëror për pafajësi dhe liri e shpjegon refuzimin e plotë në Kroaci të çdo nocioni se “Lufta atdhetare” ka prodhuar krime lufte. Ai po ashtu e shpjegon mbështetjen e plotë shtetërore që të pandehurit kroatë në Tribunalin e Hagës kanë patur nga shteti kroat në mbrojtjen e tyre tejet të suksesshme në Hagë.

Përderisa rasti gjyqësor i Kroacisë ishte paraqitur në kohën e regjimit të vjetër të Franjo Tugjmanit dhe paraqet vazhdimësi të qartë të politikave dhe prioriteteve nacionaliste të tij, kundërakuza e Serbisë ishte iniciuar në vitin 2010, dhjetë vjet pas rënies së ish-presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq dhe plot 15 vjet nga përfundimi i gjendjes së luftës në Kroaci.

Rasti gjyqësor i Serbisë ishte paraqitur në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike dhe presidencës së Boris Tadiqit. Fakti se një qeveri pas-Millosheviqit dhe një president në dukje reformist do t’i ndjekë këto pretendime e bën vendimin politik të Serbisë për ta filluar këtë rast edhe më shumë të destinuar për fund të keq sesa në Kroaci.

Ndjekja e vazhdueshme e të dyja rasteve qartazi e tregon se nuk ka pasur ndryshim themelor të asaj se si secili shtet i shikon politikat e veta të viteve të nëntëdhjeta. Rastet gjyqësore gjithashtu e zëvendësojnë në mënyrë të përshtatshme diskutimin e përgjegjësisë së secilit shtet për mizoritë që vetë i kanë kryer përmes tregimit për vuajtjet e tyre unike.

Këto raste gjyqësore është dashur të tërhiqeshin shumë kohë më parë. Shpjegimet politike që janë dhënë për ndjekjet e tyre të vazhdueshme janë se politikanët kanë frikë nga reagimi i ashpër publik që do të shkaktohej nga tërheqja, pas shumë atyre viteve të kaluara për ngritjen e rasteve.

Kjo nuk është gjë e mirë. Për të treguar se ata janë udhëheqës të pjekur, politikanët në Serbi dhe Kroaci duhet të demonstrojnë shkëputje të qartë me të kaluarën, t’i përdorin këto raste si momente për mësim dhe njëherë e përgjithmonë t’u jepet fund këtyre “Lojërave Olimpike” të mizorisë.

Jelena Subotiq është profesoreshë bashkëpunëtore e shkencës politike në Universitetin shtetëror të Gjeorgjisë në Atlanta. Ajo është autore e ‘Hijacked Justice: Dealing with the Past in the Balkans/Drejtësia e rrëmbyer: Trajtimi i së kaluarës në Ballkan’.