Recidivisti Vjedh Për të Blerë “Metadon” (TV)

I pandehuri pranoi se kishte vjedhur 100 dollarë amerikanë, 21 euro dhe 5 kuti bizhuteri.

Sipas kërkesës për paraburgim B.H. më 31 mars të këtij viti ka hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit H.H përmes një dritareje, duke përdorur forcën.

Prokurori Shefik Mehmeti tha se i dyshuari në bazë të historikut kriminal të nxjerrë nga databaza e policisë, është i evidentuar për 74 raste të vjedhjeve, vjedhjeve të rënda dhe vepra tjera.
 
Sipas prokurorit, i dyshuari është recidivist special.

“Sipas deklaratës së të njëjtit dhënë në prokurori, veprat penale që i ka kryer deri më tani, kanë pasur për qëllim që të vijë deri te mjetet financiare për blerjen e narkotikëve“, tha prokurori.

Por mbrojtësi i B.H-së, avokati Fahredin Ymeri, tha se i dyshuari me paratë e vjedhura ka siguruar qetësues, e jo mjete narkotike.

I pandehuri B.H tha se me këto para kam blerë “Metadon” .

“Jam i larguar nga programi, s’mund të marr Metadon pa para, sepse nuk iu kam përmbajtur rregullave të trajtimit”, tha i dyshuari.

Avokati Fahredi Ymeri kundërshtoi masën e paraburgimit, duke kërkuar nga gjykatësi arrest shtëpiak, meqë sipas tij policia mund të përcjellë çdo lëvizje të të dyshuarit, gjë që gjyqtari nuk e mori parasysh.

Avokati Ymeri paralajmërojë ankesë.