Zyrtarët e Komunës së Prishtinës Dyshohen për Krim të Organizuar (TV)

Që nga orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës ka nisur arrestimin e dhjetë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të dyshuar për krim të organizuar.

Po ashtu policia ka arrestuar edhe Qemajl Pozhegun, pronar i kompanisë ndërtuese “Pozhegu Brothers” nga Prishtina.

Komuna e Prishtinës kishte filluar para një muaji rrënimin e një ndërtese tetëkatëshe që kjo kompani po e ndërtonte pa leje.

Zyrtarë të kësaj kompanie e kanë konfirmuar arrestimin e Qemajl Pozhegut.

“Po, është Qemajl Pozhegu, pronari. Na kanë dërguar ftesë kemi shkuar dhe procesi ende po vazhdon”, tha Shefqet Pozhegu, një zyrtar i kompanisë, duke shtuar se nuk kanë informacione më shumë.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha të enjten se me urdhër të prokurorit vendor policia ka arrestuar shefin e Sektorit të Ndërtimit nga Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, një zyrtar për ekzekutim dhe tetë inspektorë për ndërtim.

Sipas kësaj prokurorie ekziston dyshimi i arsyeshëm se këta persona kanë kryer vepra penale, si pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, për pronarin në kompanisë “Pozhegu Brothers” prokuroria dyshon se ka kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve.
 
Zyra e Prokurorisë thotë se hetimet që kanë çuar në këto arrestime kishin filluar që nga shtatori i vitit 2013 dhe kanë të bëjnë me ndërtimin e objekteve pa leje ndërtimore në Komunën e Prishtinës.

Sipas prokurorisë janë siguruar prova të mjaftueshme kundër tyre.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha të enjten se komuna ka bashkëpunuar me prokurorinë që nga marrja e mandatit sa herë që ata kanë kërkuar.

“Një numër i dosjeve na është kërkuar gjatë muajve të kaluar, ashtu siç e kërkon ligji, ne kemi bashkëpunuar plotësisht me prokurorinë. Pra, çdo gjë që kanë kërkuar, dokumentacion, hapat, kush kanë qenë personat që kanë qenë përgjegjës. Pra kemi bashkëpunuar, pra një numër i atyre lëndëve që i kemi dhënë janë pjesë e këtij hetimi,” tha Ahmeti.

Ai shtoi se nuk dëshiron të paragjykojë fatin e zyrtarëve të arrestuar, por që ka në plan të gjejë zëvendësime që të plotësojë nevojat që ka Inspektorati i Ndërtimit.