Nesër Merret Vendimi Për Paraburgimin e të Dyshuarve për Terrorizëm

Që nga data 5 nëntor të vitit 2013 në qytetin e Prishtinës dhe Gjilanit janë arrestuar Valon Shala, Genc Selimi, Musli Hyseni, Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani dhe Bekim Mulolli. Ardian Mehmeti momentalisht është në arrati.

Katër prej tyre janë arrestuar përgjatë një misioni të fshehtë në parkun e Prishtinës prej policëve që janë shtirur si shitës të armëve, një tjetër është arrestuar në Prishtinë kurse I  gjashti në Gjilan.

Seanca ishte e mbyllur për gazetarët dhe monitoruesit, megjithatë prej Nikë Shalës, njërit nga avokatët mbrojtës arritëm të kuptojmë se prokurori special ka kërkuar që paraburgimi këtyre gjashtë vetave t’u vazhdohet edhe për dy muaj tjerë.

Nikë Shala mbron të dyshuarin Valon Shala.

Avokati Shala tha se mbrojtja e ka kundërshtuar në tërësi këtë kërkesë, duke thënë se arsyet për të cilat është caktuar paraburgim kanë pushuar.

“Në këtë çështje pritet të dëgjohen disa dëshmitarë, policë dhe klienti ynë nuk mund të ndikojë në ta. Po ashtu janë dëgjuar dy palët e dëmtuara, dhe ato me rastin e identifikimit kanë dëshmuar se klienti im s’ka të bëjë me ta”, tha Shala.

“Vendimin lidhur me atë se a është vazhduar masa e paraburgimit, vendimin zyrtar,  do ta marrim nesër”- deklaroi avokati Nikë Shala.

Këta persona dyshohen për veprën penale përgatitje për veprimtari terroriste kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Vendim lidhur me këtë çështje duhet të marrë gjyqtarit I EULEX-it, Vladimir Mikula.

Avokati Nikë Shala konfirmoi se këta persona që nga data 5 nëntor 2013 ndodhen në paraburgim.