Së Shpejti Mbahen Zgjedhjet në UP

Së shpejti pritet të mbahen zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur të mërkurën ministri Buja ka marrë sugjerimin që këto zgjedhje të mbahen shpejt për shkak të bllokadës e cila e ka përfshirën këtë universitet.

“Unë pata sot një sugjerim nga Qeveria e Kosovës që të shpallen zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës, sepse nuk ka zgjidhje tjetër”, ka deklaruar ministri Buja në mbledhjen e Komisionit për Arsim në Kuvendin e  Kosovës.

“Do ta analizojmë edhe për pak ditë  deri në marrjen e vendimit, sepse nuk ka zgjidhje tjetër,  është një bllokadë dhe zgjidhja më e mirë e problemit është të shpallen zgjedhjet dhe të bëhet kjo me një udhëzim të veçantë”, vazhdoi më tej ministri Buja.

Zgjedhjet për menaxhmentin e UP-së priten të mbahen së shpejti, edhe pse Ligji për Arsimin e  Lartë është në fazën e ndryshimit deri në miratimin e ligjit të ri, i cili do të përcaktonte edhe mënyrën e zgjedhjes së menaxhmentit.

Për ushtruesin e detyrës së rektorit të UP-së, Anton Berishaj kjo nuk është aspak befasuese, pasi ai edhe e ka pritur këtë.

“Prej që e kam marrë detyrën kam qenë i vetëdijshëm se do të jem për një mandat gjashtëmujor me mundësi të zgjatjes”, tha Berishaj, për të shtuar më tej se zgjedhjet janë të domosdoshme.

Ulen përgjysmë tarifat për semestër, ushqim dhe banim

Në mbledhjen e Komisionit për Arsim ministri Buja përmendi edhe vendimin e qeverisë që të ulen të gjitha tarifat për regjistrimin e semestrit, ushqimit e banimit për studentët e UP-së deri në 50 për qind.

“Me propozimin e MAShT-it Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që të ulen tarifat, ose çmimet për regjistrimin e semestrit të studentëve për nivelin bachelor, master dhe për ushqimin dhe banimin në Qendrën e Studentëve për 50 për qind”, deklaroi ministri Buja.

Sipas tij ky vendim do të hyjë në fuqi që nga muaji maj.

Po në maj sipas ministrit Buja, MAShT-i do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë për kurrikula të përbashkëta.

Me këtë marrëveshje pritet që tekstet shkollore të Kosovës dhe të Shqipërisë të jenë të unisuara për të gjitha lëndët.

Ndryshimet ligjore

Në mbledhjen e Komisionit për Arsim kaloi Ligji për Arsimin e Lartë, ndërsa pritet që shumë shpejt ai të shkojë për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë ligj të ri do të ndryshohet edhe mënyra e zgjedhjes së menaxhmentit të UP-së, duke përfshirë zgjedhjen e rektorit, të  Këshillit Drejtues si dhe të anëtarëve të senatit.

Kryetari i komisionit, Ramë Vataj, propozoi që dekanët të mos jenë pjesë e Senatit si dhe Këshilli Drejtues i UP-së të mos e zgjedh më rektorin, praktika këto që veprohen aktualisht në UP.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, kërkoi që miratimi i Ligjit për Arsimin e Lartë të bëhet në interes të institucioneve përkatëse, por jo edhe për qëllime të tjera.

Ajo sugjeroi që fillimisht të bëhet dëgjim publik në mënyrë që ligji të mos miratohet vetëm për qëllime të zgjedhjeve.

“Është e kuptueshme që jemi para zgjedhjeve dhe s’kemi nevojë m’u ngutë, sepse ligji nuk është për neve deputetëve por ta bëjmë një ligj që është në interes të universiteteve”, deklaroi deputetja Haxhiu.

Ndërsa Sadri Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkoi që me ndryshimet në ligj të bëhet ndarja e pushteteve mes Këshillit Drejtues, menaxhmentit dhe Senatit të UP-së.

Sipas tij UP-së i duhet një Senat më i fuqishëm. Ai propozoi edhe formimin e një mekanizmi i cili do të përcaktonte revistat ku do të mund të botonin profesorët, si dhe vlerën e impaktit të revistave ku ata botojnë.

Pas kalimit në komision të Ligjit për Arsimin e Lartë, ai pritet që shumë shpejt të kalojë në Kuvend për miratim, por paraprakisht do të bëhet një dëgjim publik për të.