AKK-ja: Prokuroritë Nuk Luftojnë Korrupsionin (TV)

Sipas Hasan Pretenit, problemi kryesor në luftën kundër korrupsionit mbetet te prokuroritë dhe gjykatat vendore.

Në konferencën për gazetarë të mbajtur të mërkurën kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion tha se nga 162 raste të kallëzimeve penale të bëra nga kjo agjenci, prokuroritë dhe gjykatat me arsyetimin e mungesës së provave kanë hedhur poshtë 126 prej tyre.

“Është vështirë njerëzit të dinë se kush me çfarë qëllimi e ka bërë, është diçka jashtë mundësive njerëzore”, tha Preteni.

Preteni shtoi më tutje se prokuroritë dhe gjykatat nuk vërtetojnë qëllimin e kallëzimeve penale të Agjencisë dhe kërkojnë nga Agjencia ta bëjë këtë.

“Mendoj që neni 22 i Kodit Penal lë hapësirë të mjaftueshme që nga natyra e veprës penale të nxirren elemente dhe të ngrihen aktakuza”, deklaroi Preteni.

Neni 22 i Kodit përcakton që dijenia, dashja, pakujdesia, ose qëllimi i kërkuar si elemente të veprës penale mund të nxirren nga rrethanat faktike.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi me telefon dhe i dërgoi pyetje nëpërmjet postës elektronike Sevdije Morinës, prokurores në Prokurorinë Speciale të Kosovës, por ajo ende nuk është përgjigjur për ankesat e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Por pretendimeve për mospunë të prokurorive iu përgjigj Laura Pula, koordinatorja nacionale e luftës kundër korrupsionit.

“Ne i shqyrtojmë te gjitha informatat që vijnë nga Agjencia Anti-Korrupsion dhe pasi që i vlerësojmë ato e shohim se a ka elemente për vepër penale”, tha Laura Pula

Shtohen rastet e kallëzimeve penale

Sipas Pretenit AKK-ja gjatë vitit të kaluar ka trajtuar 319 raste antikorrupsion, 72 prej të cilave janë bartur nga 2012-ta. Nga këto raste dhe informata të Agjencisë janë ngritur 128 kalëzime penale kundër 238 personave.

“104 raste janë përcjellë në Prokurinë e Shtetit kundër 172 zyrtarëve, 7 raste janë dërguar në Prokurorinë e EULEX-it me gjithsej 45 persona dhe 17 raste janë përcjellë te Policia e Kosovës, saktësisht në Drejtorinë e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit”, tha ai.

Preteni shtoi se 12 gjykata nëpër komuna mosdeklarimin e pasurisë nuk e kanë trajtuar fare, ndërsa deklaroi se shpesh është i pakënaqur edhe me dënimet.

“Kemi edhe gjykime qesharake me 50 euro, por ka edhe shumë raste kur vendimet e tyre rezultojnë me pezullim, qortime dhe masa të tjera të cilat nuk janë paraparë me ligj”, tha ai.

Për Pretenin shqetësues është edhe fakti që prokuroritë shpesh nuk tregojnë për fatin e kallëzimeve penale të Agjencisë.

“Rreth kthimit të informatave, lidhur me faktin e kallëzimeve që ne i ushtrojmë, prapë rezulton që në 86 raste ne nuk kemi përgjigje nga prokuroritë”, vijoi Preteni.

Prokurimi i korruptuar publik

Më së shumti korrupsion nga konferenca e AKK-së doli se po gjeneron prokurimi publik.

“Problemet janë qysh nga faza e fillimit të një tenderi në fushën e prokurimit, të përcaktimi i kritereve deri të mbikëqyrja, çdo fazë ka probleme të shumta dhe kjo fushë në vazhdimësi po gjeneron korrupsion”, tha Preteni.

Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit që heton ankesat e kompanive që marrin pjesë nëpër tenderë është kompletuar vetëm në muajin mars 2014, pasi shtatë muaj qëndroi jofunksional.

Në shkurt, Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se operatorët ekonomikë i kanë drejtuar OShP-së 204 ankesa për tenderë në vlerën e mbi 50 milionë eurove, të cilat nuk ishin trajtuar për mungesë të bordit.

Preteni në konferencën e së mërkurës foli edhe për zyrtarët që mbajnë më shumë se një vend pune. Tha se një gjë të tillë atyre nuk ua ndalon ligji, por është më tepër çështje e natyrës morale.

Në sistemin kosovar të drejtësisë Preteni ishte ankuar edhe vitin e kaluar. Ai atëherë kishte thënë se EULEX-i është më bashkëpunues me Agjencinë Kundër Korrupsion.