Anulohet Tenderi që Fitoi Oligarku Rus në KEK (TV)

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka kërkuar nga KEK-u që të kthejë në fillim tenderin për riparimin e turbinës dhe gjeneratorit elektrik, për shkak të mosrespektimit të procedurave të prokurimit.

KEK-u ka shpërblyer me kontratë më 12 shkurt të këtij viti konzorciumin prej tri kompanive – “Monting Energetika” nga Maqedonia, “Power Machines” nga Rusia dhe “Cerb” nga Bullgaria.

Kompania ruse i përket oligarkut rus Alexey Mordashov, njërit prej biznesmenëve më të njohur rusë në botë.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në shkurt për tenderin e dyshimtë dhënë pasanikut rus nga KEK-u.

Në tenderin “Riparimi kapital i turbinës me avull dhe gjeneratorit elektrik njësia A4 dhe A5 TC Kosova A” ka marrë pjesë edhe një kompani nga Polonia, “TurboCare”, e cila ishte ankuar në OShP për shkelje të Ligjit të Prokurimit nga ana e KEK-ut.

Më 1 prill OShP-ja aprovoi pjesërisht ankesën e TurboCare dhe mori vendim për anulimin e tenderit në mënyrë që lënda të kthehet në ritenderim.

Kompania polake ishte ankuar se metoda për pastrimin e gypave e ofruar nga operatori i përzgjedhur nuk është në përputhje me kërkesat e dosjes se tenderit.

Sipas tyre, dosja e tenderit kërkonte që pastrimi i gypave duhej të bëhej me presion të vajit, ndërsa konzorciumi fitues kishte ofruar këtë pastrim përmes ujit.

Në vendimin e OShP-së thuhet se KEK-u ka pranuar se konzorciumi fitues nuk ka ofertuar sipas kërkesës së tyre, duke u arsyetuar se komisioni vlerësues nuk e ka konsideruar si esencial [pastrimin], porse kanë pasur për bazë çmimin më të ulët.

Ndër të tjera, Paneli Shqyrtues i OShP-së po ashtu ka gjetur mangësi në procedurë, duke thënë se KEK-u ka përgatitur dosjen e tenderit vetëm në gjuhën angleze, ndërsa duhej të ishte edhe në gjuhën shqipe dhe serbe për shkak se ishte kontratë me vlerë të madhe.

Pronari i kompanisë “Power Machines” Alexey Mordashov ka në pronësi edhe gjigantët e minierave “Severstal” e “Arcelor”.

Mordashov rangohet i 11-ti në listën e pasanikëve rusë dhe i 45-ti në botë, me një pasuri prej 12.8 miliardë eurosh, bazuar në publikimet e revistës Forbes.