Merkel-Përkrahje e Kujdesshme për Kandidaturën e Shqipërisë

Liderja e Gjermanisë i dha përkrahje të kujdesshme kërkesës së Shqipërisë për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së, ndërsa hodhi poshtë angazhimin e Gjermanisë në një mënyrë ose tjetër, përpara një raporti të rëndësishëm.

“Ne i trajtojmë vendet në rrugën e BE-së duke u bazuar në raportet e ardhura nga Komisioni Evropian”, tha Angela Merkel në një konferencë për gazetarë në Berlin të mbajtur bashkë me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Në qershor do ta pranojmë një raport të ri në të cilin Komisioni do ta regjistrojë progresin e bërë dhe do ta shikojë atë me pozitivitet dhe do të vendosë”, shtoi ajo.

Pavarësisht një rekomandimi të pakushtëzuar nga Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave të BE-së në dhjetor 2013 vendosi që ta shtyjë dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, duke kërkuar një histori më të gjatë të luftës krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministrat e BE-së thanë se do të presin një raport të ri nga Komisioni në qershor që do të mbulojë zbatimin e reformave antikorrupsion dhe të drejtësisë, para se të vendosin për kërkesën e Shqipërisë.

“Vendi ynë është pjesë e Evropës dhe do të bëjë gjithçka, ditë pas dite, për ta merituar respektin dhe vendin që Shqipëria aspiron”, tha Rama në Berlin.

“Qeveria jonë është e përcaktuar që të çojë përpara reformat që do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë dhe garanton luftë të vërtetë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shtoi Rama.