Ende Larg Nga Numërimi i Veteranëve të Luftës (TV)

Zyrtarë të Komisionit për Verifikimin e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thanë të martën se në verë do të dalin me një listë preliminare me numër të saktë të veteranëve të luftës.

Anëtari i komisionit Faik Fazliu, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nga 68 mijë aplikacione të cilat janë dërguar në komision, 8 mijë prej tyre janë proceduar.

Ndërsa afati i fundit për aplikim ka qenë para më shumë se një viti, më 28 shkurt 2013.

“Pasi që ne kemi pranuar të gjitha këto aplikacione, i kemi dërguar te ish-komandantët që kanë qenë në terren, për të verifikuar se kush ka luftuar në njësitet e tyre të UÇK-së”, tha ai.

“Ne deri më tani kemi verifikuar aplikacionet e luftëtarëve të Zonës së Shalës, Brigadës 138 në Koshare dhe në Zonës së Karadakut. Kurse verifikimi i luftëtarëve të UÇK-së së Zonës së Llapit dhe të Pashtrikut është në proces të verifikimit”, tha ai.

Verifikimi i numrit të saktë të veteranëve të luftës është i një rëndësie të veçantë, sepse ligji i ri që ofron benificione për veteranët pritet të miratohet së shpejti në Kuvend, ndërsa do të jetë në rend dite edhe në seancën e së enjtes.

Verifikimi i numrit të vërtetë të luftëtarëve të UÇK-së është parakusht për zbatimin e këtij ligji.

“Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën për të pasur listën e anëtarëve të vërtetë të UÇK-së sa më shpejt që është e mundur. Ne besojmë se mund ta përfundojmë këtë diku në qershor”, tha Fazliu.

Por, opozita thotë se komisioni nuk do të jetë në gjendje ta përfundojë këtë me kohë.

Rexhep Selimi, deputet nga Lëvizja “Vetëvendosje”  dhe ish-shef i operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, tha se “komisioni nuk ka kapacitetet e nevojshme për të përfunduar verifikimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së deri në qershor”.

“Nuk ka asnjë shans për këtë! Nëse ne shikojmë dinamikën e procesit të deritanishëm, nuk ka asnjë mënyrë që komisioni mund ta bëjë këtë”, shtoi ai.

Selimi tha se për t’i shmangur aplikantët e rrejshëm, autoritetet është dashur që ta miratonin ligjin, përpara se të bëhej verifikimi i tyre.

“Së pari duhet ta kemi ligjin për veteranët i cili i përcakton kriteret për njerëzit që aplikojnë. Mungesa e kritereve e ka mundësuar gjendjen ku kemi me tepër njerëz që aplikojnë për statusin e veteranit ose luftëtarit të UÇK-së, sepse nuk kemi kritere të qarta”, tha Selimi.