Propozimi i Prokurores Shtyn Seancën e Vrasjes së Doganierit (TV)

“Veprimet e tij [policit Basha] deri te krisja e revoles kanë qenë mjaft të kontrolluara, tërë kohën është munduar t’i menaxhojë veprimet, mirëpo në një moment kur turma është afruar dhe kur ky është bindur- intuita e tij është bindur, në atë moment ka dalë nga kontrolli”, thuhet në ekspertizën e psikiatrit Fahri Drevinja për veprimet e policit që vrau doganierin.

Ngjarja kishte ndodhur më 11 korrik 2012 në vendin e quajtur “Gurra” në Prizren, kur polici Afrim Basha bashkë me disa shokë dhe kolegë të tij po shkonin për të mbushur ujë, ndërsa te ky vend ndodhej doganieri Nasi Gavazaj me miqtë e tij.

Në seancën e kaluar të mbajtur më 12 mars, prokurorja Ervehe Gashi dhe të dëmtuarit nuk u pajtuan me ekspertizën mjekësore të Drevinjës, duke kërkuar plotësim të saj me neuropsikiatër dhe ekspert të psikologjisë forenzike.

Edhe pse e quajti propozim të pazakontë, kryetari i trupit gjykues Xhevdet Elshani e aprovoi propozimin e prokurores dhe mbrojtjes.

Për plotësimin e ekspertizës së Drevinjës do të angazhohen edhe dy ekspertë të forenzikës, një psikiatër dhe një psikolog.

Sipas Elshanit ekspertët do të kenë në dispozicion të gjitha shkresat e lëndës duke mos përjashtuar edhe vizitat mjekësore te i akuzuari.

Ekspertizën shtesë e kundërshtoi Naim Qelaj, mbrojtësi i policit të akuzuar Basha, duke e quajtur si gjykatësi Elshani kërkesë të pazakontë.

“Në plotësimin e provave zakonisht plotësohen vetëm provat që nuk kanë mundur të sigurohen me kohë, ose për të cilët palët nuk kanë pasur njohuri. Për këtë fakt palët kanë pasur njohuri që nga fillimi”, tha Qelaj. Av. Naim Qelaj00:44  – 01:15

Ai e quajti edhe të vonuar kërkesën e prokurorisë.

“Nuk ka nevojë as për plotësim të ekspertizës, e as për një ekspertizë shtesë për rastin konkret”, vijoi Qelaj. Av. Naim Qelaj00:44  – 01:15

37 vjeçari Basha akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, pasi përdori pa autorizim revolen zyrtare.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me Hasan Gavazajn (djalin e viktimës) dhe të ndjerin Nasi Gavazajn, polici Basha ditën kritike e shtyu Hasanin.

Pas shtyrjes, Nasi Gavazaj vrapoi në drejtim të  policit, ndërsa Basha nxori pistoletën dhe shtiu dy herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetë.

Si pasojë e lëndimeve të marra trupore pas 12 ditësh Nasi Gavazaj vdiq në Spitalin Amerikan në Tiranë.

Seanca e ardhshme do të vazhdojë me 8 maj.