Nuhi Uka Akuzohet Edhe Për Krim të Organizuar (TV)

Seanca kundër Nuhi Ukës dhe tetë të akuzuarve të tjerë edhe pse ishte caktuar të mbahej të hënën në Prizren nga gjyqtari i EULEX-it Piotr Bojatczuk, u shty për më vonë, pasi shumica e të pandehurve nuk ndodheshin në gjykatore.

Gjykata ftesat i kishte dërguar të mërkurën, gjashtë ditë para se të mbahej gjykimi, në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale që precizon njoftimin e të akuzuarve tetë ditë para mbajtjes së seancës.

Gjykata nuk kishte njohuri nëse ftesat të pandehurve u ishin dërguar në mënyrë të rregullt. Kjo situatë nxiti reagimin e Tahir Rrecajt, mbrojtësit të Nuhi Ukës, i cili kërkoi që të njoftohen më herët për seancat.

Nuhi Uka, ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe për krim të organizuar. Sanije Muçolli, avokate dhe në të kaluarën gjykatëse në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë ngarkohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ose autoritetit, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe mashtrim.

Uka e Muçolli janë duke u gjykuar edhe për shtytje dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore në një rast tjetër, ku dyshohet se dëmtuan ndërmarrjen KBI “Kosova Export” me tjetërsimin e pronave të saj. http://gazetajnk.com/index.php?cid=1,1018,7381

Për të njëjtat akuza si Uka ngarkohet edhe Fehmi Havolli, ekspert i gjeodezisë në Kadastrën e Prishtinës. 

Sipas aktakuzës më 22 shkurt të vitit 2006 dhe 26 korrik të viti 2006, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore Nuhi Uka ia ka caktuar lëndën relevante duke shkelur të gjitha parimet ligjore Sanije Muçollit, për t’ia dhënë pronën në mënyrë të kundërligjshme Ajkuna Hashanit, njëkohësisht duke e dëmtuar Komunën e Prishtinës.

Bashkë me këta të tre, të pandehur janë edhe Mirafete Hashani-Bislimi, Kadrie Hashani-Muharremi, Kimete Hashani-Uka.

Kadrie Hashani-Muharremi dhe Kimete Hashani-Uka akuzohen për legalizim të përmbajtjes së rreme bashkë me Mirafete Hashani-Bislimin, Hilmije Miftarin dhe Ibadete Hashani-Cakajn.

Të gjithë të pandehurit ngarkohen se kanë formuar një grup të organizuar kriminal, secili me rolet e veta specifike, ndërsa Nuhi Uka ka qenë udhëheqës i këtij grupi.

Akuzën për krim të organizuar dhe themelim të grupit kriminal e kundërshtoi Tahir Rrecaj, mbrojtësi i Nuhi Ukës.

“Ta trajtosh një familje siç është familja Uka, si organizatë kriminale mendoj që është jashtë çdo logjike profesionale, po ne besojmë që prokurori e ka pa këtë dhe në aktakuzën e ndryshuar do ta heq krimin e organizuar dhe shumë vepra tjera do t’i ndryshojë ose do të heqë dorë nga to”, tha Rrecaj. 01:14 – 01:50

Në seancën e së hënës që u shty, prokurori i EULEX-it, Daniello Qikarello paralajmëroi ndryshimin e aktakuzës.

Aktakuza aktualisht ka 12 pika me gjashtë vepra penale: nxjerrje e vendimeve të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autoritetit, legalizimi i përmbajtjes së rreme, mashtrim , uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme dhe krimi i organizuar.

Prokurori gjithashtu propozoi që për ekonomizim të procedurës, pasi të gjithë të pandehurit janë nga Prishtina, ky gjykim të mos mbahet në Prizren, por në kryeqytetin e Kosovës.

Bajram Tmava, mbrojtësi i Kimete Hashani-Ukës, edhe pse e pranoi se rrallë pajtohet me prokurorët, e pranoi propozimin e Qikarellos për mbajtje të seancave në Prishtinë. Të njëjtën gjë e bënë edhe mbrojtësit dhe të pandehurit tjerë.

Tmava me shaka tha se ndoshta do të pajtohet edhe me ndryshimin e aktakuzës, të paralajmëruar nga prokurori.

Seanca e ardhshme është caktuar për datën 20 maj.