Shkarkohen Kryeshefja dhe Zyrtari Financiar i ” Hidromoravës”

Myrvete Hoti, kryeshefe e kompanisë regjionale të ujit “Hidromorava” të Gjilanit dhe zyrtari i lartë  financiar i kësaj kompanie Xhelal Shabani kanë mbetur pa punë që nga dita e hënë, kur bordi i kësaj ndërmarrjeje mori një vendim të tillë.

Një javë më parë, më 27 mars Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar për degradimet e sindikalistëve  të kësaj ndërmarrjeje dhe punësimet në baza familjare.

Udhëheqja e “Hidromoravës” akuzohej nga sindikata e kësaj ndërmarrje se ua ka ndërruar vendet e punës kryetarit të sindikatës dhe njërit nga anëtarët e kryesisë, për shkak të aktiviteteve të tyre sindikale.

Kryetari i bordit Avdyl Hasani e konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë ndërprerjen e marrëdhënies së punës për kryeshefen Myrvete Hoti dhe zyrtarin e lartë financiar Xhelal Shabani.

“Kryeshefes Myrvete Hoti dhe zyrtarit të lartë financiar Xhelal Shabani i është ndërprerë kontrata e marrëdhënies së punës, sepse  marrëdhëniet ndërnjerëzore në mes tyre  kanë qenë  katafstrofale, duke e ditur se ata kane qenë njerezit kyç në kompani“, thotë Hasani

Hasani shton se shkarkimi i kryeshefes ka qenë edhe kërkesë e përsëritur e sindikatës.

Sipas tij kryeshefja është munduar të arsyetojë veprimet e saja, por siç tha ai nuk ka qenë bindësë.

Kryetari i Bordit të “Hidromoravës” tha se ky bord ka vepruar konform Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Pika 1 e nenti 21 të këtij ligji, thotë se bordi mundet në çdo kohë dhe me shumicë votash ta ndërpresë kontratën e zyrtarëve të ndërmarrjes publike, me ose pa deklarimin e arsyes.

Ish-kryeshefja, e cila nuk u ishte përgjigjur pyetjeve të dërguara më herët nga gazeta lidhur me degradimin e sindikalistëve dhe akuzat për punësime mbi baza familjare, është përgjigjur vetëm të martën.

Për  ndërrimin e vendeve të punës së sindikalistëve Hoti tha se kjo është bërë për shkak të ristrukturimit të sugjeruar nga bordi i ndërmarrjes.

Ndërsa sa i përket akuzës për punësimin e vjehrrës së djalit, Hoti thotë se djali i saj nuk është i martuar.

“Unë personalisht si kryeshefe ekzekutive në ndërmarrje nuk pranoj dhe as nuk largoj askë në / nga puna. Janë organet dhe komisionet përkatëse të kompanisë të cilët kanë këtë detyrë dhe përgjegjësi, e në punën e të cilëve asnjëherë nuk kam interferuar”, thotë ish-kryeshefja e “Hidromoravës”.

Lidhur me shkarkimin e saj një ditë më parë, Myrvete Hoti thotë se bordi e ka vlerësuar performancën e saj, por se është shkarkuar për shkak se siç citon ajo bordin, “nuk ka arritur të menaxhojë marrëdhëniet e mira ndërnjerëzore në kompani. E sidomos nuk janë përmirësuar raportet me zyrtarin e lartë financiar”.

E pyetur se si do të reagojë pas këtij shkarkimi, Hoti tha se “do të pushoj pak dhe të studioj më thellësisht Gjergj Fishtën”.
 
Ndërkohë bordi ka zgjedhur si ushtrues detyre të kryeshefit Abdylaziz Selmanin, i cili më herët ishte drejtor financiar në këtë kompani, ndërsa vartësi më i afërt i tij do ta kryejë punën e zyrtarit të lartë financiar.

“Konkursi nuk do te prolongohet shumë, besoj që në mbledhjen e ardhshme pas 15 prillit do të shpallet”, tha kryetari i Bordit të “Hidromoravës” Avdyl Hasani.

Edhe i shkarkuari tjetër, Xhelal Shabani thotë se shkarkimi i tij ka ardhur si pasojë e marrëdhënjeve jo të mira me kryeshefen.

Por kryesindikalisti Kadri Reqani mendon se Xhelal Shabani ka shkuar si viktimë e kryeshefes.