Policia Heton Kërcënuesin e “Grave në të Zeza”

Prokuroria Speciale për Krime të Teknologjisë së Lartë tha të shtunën se kanë filluar të hetojnë Radomir Poquqën, zëdhënësin e Njësisë Policore Kundër Terrorizmit në Serbi, i cili kishte kërkuar nga tifozët e futbollit që të bashkohen dhe të luftojnë grupin “Gratë në të Zeza” të cilat ishin mbledhur të mërkurën në kryeqytet për të shënuar 15 vjetorin e krimeve të luftës së kryera nga forcat serbe ndaj shqiptarëve gjatë konfliktit të viteve të nëntëdhjeta.

Ministri për Punë të Brendshme i Serbisë tha se Poquqa do të suspendohet nga forca policore për shkak të veprimeve të tij.

 “I dënojmë fuqishëm kërcënimet e bëra nga ai”, tha ministri.

Poquqa javën që shkoi u kishte kërkuar huliganëve të bashkohen dhe të kenë në cak “Gratë në të Zeza”.

“Në vend se të luftojnë njëri-tjetrin ata duhet të bashkohen dhe të luftojnë ato që vërtet këtë e meritojnë”, kishte shkruar Poquqa në faqen e tij të Facebook-ut.

 “Gratë në të Zeza” janë aktive vetëm kur ka çka të ‘pështyhet’ mbi serbët, duke aluduar në krimet e pavërtetuara se janë kryer nga armata, policia, ose vullnetarët e Serbisë”, kishte deklaruar ai.

Kryetarja e Grave në të Zeza, Stasa Zajoviq, tha se organizata ka ndërmarrë veprim ndaj këtij kërcënimi.

 “Ne do të ngrejmë padi, por edhe veprime tjera që të informojmë bashkësinë ndërkombëtare dhe organizatat tjera për të drejtat e njeriut”, tha Zajoviq për radio Novi-Sadin.

Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, një grup tjetër për të drejta të njeriut në Serbi, gjithashtu kishte bërë padi kundër Poquqas, të mbështetur edhe nga shtatë OJQ të tjera.

 “Ky është vetëm njëri nga sulmet që u bëhen “Grave në të Zeza”. Ne duam t’ju kujtojmë edhe rastin që ndodhi tre vjet më pare kur ato u sulmuan fizikisht dhe zyrat e tyre u shkatërruan. Kryesit e veprës nuk janë bërë të ditur as për publikun dhe as institucionet”, thotë OJQ-ja në letrën e saj mbështetëse.

Gjatë protestës së të mërkurës “Gratë në të Zeza” kërkuan nga autoritetet e Serbisë që të ndjekin penalisht “policinë serbe, armatën jugosllave dhe njësitë paramilitare që kanë kryer krime të panumërta të cilat kulmuan me intervenimin e NATO-s- bombardimin e Serbisë në mars 1999”.

Sipas vendimeve që deri tani ka sjellë Tribunali i Hagës, në luftë në Kosovë janë vrarë mijëra shqiptarë dhe më shumë se 800,000 të tjerë ishin dëbuar si pasojë e fushatës ushtarake të autoriteteve të Beogradit.

Tribunali i Hagës deri tani ka dënuar gjashtë zyrtarë qeveritarë, policorë e ushtarakë të Serbisë në akuzat për vrasjet dhe persekutimet ndaj shqiptarëve t Kosovës, duke i dënuar ata prej 14 deri në 22 vjet burgim.

Gjykatat e Serbisë gjithashtu kanë dënuar disa persona për krime të luftës në Kosovë, duke u fokusuar në kryesit e drejtpërdrejtë të krimeve dhe duke lënë kështu jashtë gjykatoreve zyrtarët e lartë.

Zyrtarët serbë kanë shënuar 15 vjetorin e fushatës së NATO-s të hënën, duke thënë se kurrë nuk do të harrojnë viktimat. Por ata po u referoheshin vetëm viktimave serbe nga bombardimet e NATO-s dhe jo edhe krimeve kundër shqiptarëve në vitet 1998 dhe 1999.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice