Masakra e Lybeniqit 15 Vjet më Pas (TV)

Të mbijetuarit e asaj masakre edhe sot e kësaj dite e kujtojnë tmerrin e 1 prillit 1999.

Alban Bushati në atë kohë ishte ishte vetëm 17 vjeçar.

Ai tregon që meshkujt ishin ndarë nga femrat , ndërsa edhe ai vetë kishte shkuar në rendin e burrave
 
“Nji plak na ka thanë kaloni në rend të grave se ju jeni të rinj. Edhe unë me disa tjerë kemi kalu prej rendit të burrave te rendi i grave. Policia serbe ka qenë pak ma andej. A na kanë pa, a nuk na kan pa, veç Zoti e din”, rrëfen Bushati.

Ai bashkë me shokët e tij, me gratë dhe fëmijët nuk ishin larguar as një gjysmë kilometri kur kishin dëgjuar të shtënat që vinin nga fshati i tyre.

Edhe Amrush Ukshinaj është  njëri nga fshatarët e Lybeniqit që i ka shpëtuar 1 prillit të para pesëmbëdhjetë vjetëve.

Ai tregon se e ka pasur nënën e vet për dore për shkak të moshës së saj të shtyrë. Ukshinaj nuk ishte futur në rendin e burrave, por as në atë të grave.

“Tentova me shku teposhtë po “Mrtvi” (Nebojsha Miniqi, komandant i Çakejve) më tha kthehu. U ktheva. Qëndrova edhe pak aty…Kom tentu për të dytën herë me shku teposhtë. Më tha mu kthy, nuk u ktheva. Zoran Obradoviqi më ka ardhë mas, se unë e kom njoft ato edhe para lufte se e edhe ai si unë asht kanë mjeshtër i kerreve. Po nuk folke kurrgjë hiq. Më ka përcjell nja 15 metra edhe asht kthy. Unë jam zdjerg teposhtë”, thotë Ukshinaj, i cili menjëherë pas kësaj ishte nisur për në Shqipëri.

Njëri nga anëtarët e grupit paramilitar “Çakejtë” është bërë dëshmitari kryesor i prokurorisë serbe në rastin e masakrës së Lybeniqit.

Zoran Rashkoviq, i pranishëm në Lybeniq me 1 prill 1999 ka dhënë një intervistë edhe për emisionin “Jeta në Kosovë”, të transmetuar më 12 dhjetor 2013.

Pesëmbëdhjetë vjet më pas edhe ai e konsideron masakrën e Lybeniqit të tmerrshme.

“Të gjithë ata që ishin meshkuj, diku nën xhami e kishim gjetur një vend të hapur dhe aty i kemi grumbulluar”, ka thënë Rashkoviq në intervistë.

Sipas tij ai dhe shumë kolegë të tij nuk e kishin ditur se aty do të vriteshin njerëz, ndërsa masakrën e Lybeniqit dhe të tjerat të kryera nga grupi i tij i quan “çmenduri e kohës”. 

Gjatë kësaj interviste Zoran Rashkoviq pati thënë se do të dëshironte të kthehej në Kosovë dhe se në njëfarë forme pret nga shqiptarët që ta falin atë.

Por të afërmit e viktimave të tij dhe përjetuesit e masakrave në të cilat ka marrë pjesë Rashkoviqi, nuk mund ta pranojnë lehtë këtë gjë.

“Qysh do me ardhë ai në Kosovë e me kërku me u kthy, në një vend të krimit, një vend që ka derdh gjak, e pa u ndëshku, çfarë drejtësie është kjo”, thotë Alban Bushati

Ndërsa i mbijetuari Amrush Ukshinaj e sheh si pozitiv faktin që Rashkoviq ka pranuar të dalë para mediave.

“Duhet me ardh me iu përgjegj drejtësisë së Kosovës ai. Se ai krimet i ka ba ktu, asht banor i Pejës. Edhe herdokurdo shteti jonë, kur të bahen marrëdhaniet me Serbinë, ata duhet me dorëzu ktu. Kjo (gjykimi) çka bëhet në Beograd kto janë veç fals, veç sa me hi në Evropë”, thotë Ukshinaj.

Në vitin 2010 prokuria serbe e krimeve të luftës ka akuzuar, Zoran Rashkoviqin së bashku me Toplica Miladinoviqin, Sreçko Popoviqin, Slavisa Kastratoviqin, Boban Bogiceviqin, Radoslav Brnoviqin, Vidoje Koricaninin, Veljko Koricaninin, Abdulah Sokiqin, Milojko Nikoliqin, Sinisa Misiqin, Zoran Obradoviqin, Dejan Bulatoviqin dhe Ranko Momiqin për vrasjen e më shumë se 100 shqiptarëve në fshatrat Lybeniq, Zahaq, Qyshk e Pavlan gjatë vitit 1999.

Të gjithë këta përveç Toplica Miladinoviqit gjykata i akuzon si pjesëtarë të grupit “Çakejtë”, udhëheqës i të cilëve sipas dëshmitarëve ka qenë Nebojsha Miniq, i njohur me nofkën “Mrtvi”.

Ishte arrestuar në vitin 2005 në Argjentinë, por kishte vdekur nga SIDA gjatë procesit të ekstradimit.