Erdogan Fiton Zgjedhjet Pavarësisht Kufizimeve të Internetit

Edhe pse Erdogan kohëve të fundit është akuzuar për korrupsion dhe regjim autoritar në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën, partia e tij fitoi rreth 47 për qind të votave.

Autoriteti i tij duket se nuk ka rënë, pavarësisht aferave korruptive ku u përfshinë zyrtarë të lartë të qeverisë së tij.

Tre ministra të qeverisë së Erdoganit dhanë dorëheqje dhjetorin e vitit të kaluar, pasi djemtë e tyre u akuzuan për korrupsion. Erdogan që pas këtij skandali u desh ta riformatojë qeverinë, akuzoi lëvizjen “Hizmet” të Fethullah Gulen-it për ngritjen e këtyre akuzave.

Gulen, një klerik islam që jeton në ShBA, ishte aleat me Erdoganin, ndërsa tash armiqësia mes tyre është e hapur. Kleriku ka një rrjet të pasuesve të tij të shpërndarë sidomos nëpër organet e drejtësisë dhe ato të rendit.

Në zgjedhje kishin të drejtë vote 50 milionë qytetarë të Turqisë nga 81 provincat për të zgjedhur të parët e tyre.

Pak para mbajtjes së zgjedhjeve, më 20 mars Qeveria e Erdoganit kishte bllokuar rrjetin social, Twitter, ndërsa një javë më pas edhe kanalin e videove Youtube, me arsyetimin se po keqinformonin opinion publik në Turqi.

“Turqia e re” e Erdoganit

Duke folur prej ballkonit të ndërtesës së selisë së partisë së tij, i shoqëruar nga familja dhe i biri Bilalli, Erdogan falënderoi përkrahësit e vet.

“Sot, populli demaskoi planet dhe kurthet imorale duke i dhënë opozitës një shuplakë otomane”, tha Erdogan.

“Turqia ka nevojë për një opozitë të re. Sot ka lindur një Turqi e re”, shtoi Erdogan.

Ai po ashtu paralajmëroi armiqtë e tij se do të paguajnë të gjithë që e kishin akuzuar Erdoganin për korrupsion dhe për zbulim të sekreteve shtetërore.

Më 27 mars në Youtube qarkulloi një video në të cilën zyrtarë të lartë turq diskutonin operacionet e mundshme ushtarake në Siri.

Partitë opozitare kanë mbetur larg me përqindje në krahasim me partinë e Erdoganit.

Partia Nacionaliste Laike CHP, e udhëhequr nga lideri i saj Kemal Kilicdaroglu e ka quajtur Erdoganin “diktator dhe hajdut”.

Partia e Kemal Kilicdaroglu në këto zgjedhje ka fituar rreth 28 për qind të votave, kurse partia tjetër opozitare e quajtur “Krahu Politik Ujqit e Zinj”, mori rreth 18 për qind të votave.

Shkrimi është bazuar ne rai.it dhe BBC news