Përplasje e LDK-së dhe PDK-së për Ligjin e Veteranëve (TV)

Në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet të enjten, si pikë e rendit të ditës do të jetë Projektligji për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Projektligji për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kaluar në lexim të parë më 13 mars 2014.

Por, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende vazhdojnë të përplasen mes tyre, sa i përket këtij projektligji. Përderisa PDK-ja thotë se do t’u njihet statusi i veteranit të gjithë atyre që kanë luftuar nën emblemën e UÇK-së, LDK-ja kërkon që në projektligj të njihet edhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Kjo ministri ekzistonte në kuadër të qeverisë kosovare në ekzil gjatë të nëntëdhjetave, që nuk ishte e njohur ndërkombëtarisht, ndërsa gjatë kohës së luftës kishte krijuar formacionin ushtarak Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Shumë pjesëtarë të kësaj force kishin luftuar nën shenjën dhe uniformën e UÇK-së.    

“Duhet t’u njihet statusi i veteranit të gjithë atyre që kanë bartë emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka pasur formacion tjetër ushtarak”, tha deputeti i PDK-së Ilmi Reçica, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai këtë e argumentoi me fjalët se nuk ka pasur luftë mes shqiptarësh, në vitet 1998-1999.

“Ne kemi pasur një formacion politik, një formacion ushtarak, një formacion që ka luftuar dhe pikërisht falë asaj nuk ka ndodhur ajo çka shumëkush ka investuar, e kam fjalën për një luftë civile”, shtoi Reçica.

Por fjalë të tjera për të njëjtën çështje tha Ismet Beqiri, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së.

“Vetëm i verbri nuk do për të parë diçka që ekziston në realitet dhe ajo ministri dhe ata ushtarë kanë ekzistuar, kanë luftuar. Ne nuk na pengon që të figurojnë të gjithë ata që kanë luftuar nën komandën dhe zinxhirin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por të tjerët po i pengon që të figurojë edhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, tha Beqiri.

Beqiri shtoi se edhe në parlament ka të tillë që kanë luftuar nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kanë pasur zinxhirin e komandës nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Por Reçica deklaroi se nuk ka pasur komandë tjetër përveç Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe sipas tij Ministria e Mbrojtjes është themeluar si pjesë e marrëveshjes politike të Rambujesë.

Ismet Beqiri akuzoi partinë në pushtet se po dëshiron t’i ndajë luftëtarët.

“Ne mbesim pranë qëndrimit që amendamentet tona janë absolutisht të bazuara dhe ata që po dëshirojnë për t’i ndarë luftëtarët është ose janë kryetari i Partisë Demokratike dhe Partia Demokratike”, vijoi Beqiri.

Ardian Gjini i AAK-së tha se do të ishte absurd i llojit të vet nëse ne tani do t’ia mohonim të drejtën e të qenët veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës cilitdo individ që ka marrë pjesë në luftë.

“Edhe ata që kanë menduar se janë ushtarë të FARK-ut ose që kanë besuar se janë ushtarë të FARK-ut dhe kanë bartur emblemën e UÇK-së, edhe ata kanë luftuar. Edhe prej tyre ka pasur disa që janë vrarë, sikurse edhe prej të tjerëve që kanë qenë UÇK”, tha Gjini.

Por edhe kryeparlamentari Krasniqi tha se UÇK-ja ka qenë i vetmi formacion ushtarak që ka luftuar.

“Faktori ndërkombëtar ka bërë përpjekje që të thonë se në Kosovë kanë luftuar grupime të ndryshme politike, unë atëherë u kam pas thënë atyre që në Kosovë nuk ka pasur formacione ushtarake, por ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe gjithçka që është zhvilluar, është zhvilluar nën emblemën e UÇK-së”, deklaroi Krasniqi.

Në seancën e së enjtes do të shqyrtohet në lexim të parë Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.