Grupi i Qytetarëve Aktivë Për Prizrenin Ndërron Mënyrën e Protestimit (TV)

Grupi i Qytetarëve Aktivë për Prizrenin, kishin paralajmëruar se  të premten do vazhdojnë me aksionin protestues duke filluar nga ora 8 e mëngjesit para Shtëpisë së Bardhë, me kërkesën për dorëheqjen e kryetarit Ramadan Muja.

Mirëpo në vend të protestës ata lajmëruan ndërprerjen e protestës në formën e deritanishme dhe vazhdimin kërkesave të tyre në formë të debateve publike me qytetarët.

Lirim Krasniqi nga Grupi i Qytetar Aktivë të Prizrenit tha se këtë ndryshim po e bëjnë meqë siç tha ai të enjten mbrëma është parë edhe njëherë se kryeministri Thaçi po i bën presion Mujës që të mos japë dorëheqje.

Këtu Krasniqi aludoi në intervistën e Hashim Thaçit dhënë të enjten në Rubikon të KTV-së, ku ai tha se Ramadan Muja është i pafajshëm derisa vendimi i gjykatës nuk e merr formën e prerë.

“Ndërsa sa i përket moralit të Ramadan Mujës, ne nuk mund ta mësojmë atë për moral sepse ai i ka bërë 75 vjet dhe nëse për këto 75 vjet nuk e ka mësu se çka është morali, atëherë ne s’kemi çka t’i themi. Ne do t’ju lajmërojmë për hapat në vazhdim dhe për format tjera të protestës”, tha Krasniqi.

Edhe të premten, Grupi i Qytetarëve Aktivë për Prizrenin, i bëri thirrje Prokurorisë, që sa më parë të shqyrtohet padia për vendimin për vetëpezullim të kryetarit Muja, vendim ky të cilin Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka kthyer mbrapsht, duke e cilësuar pa bazë ligjore.

“Organet e drejtësisë duhet ta thonë fjalën e tyre sa më parë, për shkak se është qytetari i Prizrenit dhe i Kosovës, ai që po i vuan pasojat e këtyre manipulimeve që po i bëjnë këta duke u thirrur në emër të ligjit dhe në emër të institucioneve”, tha Krasniqi.

Nga ana tjetër zëdhënësi i komunës, njëherësh këshilltari politik i Mujës, Ymer Berisha, ka vlerësuar si pozitiv hapin e protestuesve për të ndalë protestat.

Berisha tha se kryeministri nuk e mban jo vetëm Mujën, por askënd tjetër në postin e kryetarit. Sipas tij Mujën e mban në pozitë fitorja në zgjedhjet elektorale.

“Kryetarin e Komunës e mban në punë ligjshmëria në vendimmarrje dhe si të tillë do ta zbatojmë deri në pikën e fundit”, tha Berisha.