Beogradi Akuzon Zagrebin për Demonizim të Serbëve

Sasha Obradoviq, kreu i Ekipit Ligjor të Beogradit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha të enjten se “Kroacia po tenton të ‘demonizojë’ serbët” në përpjekje për ta fituar rastin e gjenocidit.

Ai e quajti këtë veprim të Zagrebit një dredhi që do të parandalojë përmirësimin e marrëdhënieve mes dy fqinjëve që ishin në luftë gjatë viteve 1991-1995.

 “Dyshoj se kjo do të kontribuojë për pajtim, bazuar në fakte historike”, tha Obradoviq.

Të dy vendet kanë paditur njëra-tjetrën në gjykatën e mbështetur nga Kombet e Bashkuara për dyshime të kryerjes së gjenocidit gjatë konfliktit.

Obradoviq tha se gjatë rastit që nisi më herët gjatë këtij muaji, Kroacia “vendosi  një mantër: ‘gjenocidi nuk është një lojë numrash’”, në vend që të vërtetojë se Serbia është fajtore.

Mantrat janë fjalë pa kuptim që përsëriten shpesh gjatë meditimit për të krijuar qetësinë e mendjes, ndërsa figurativisht përdoren në rastin kur diçka përsëritet vazhdimisht për të tingëlluar si e vërtetë.

Një anëtar tjetër i ekipit beogradas në gjykatë, Andreas Zimmermann, tha që disa nga argumentet kroate nuk janë asgjë më shumë sesa “një përrallë në realitetin e ligjit ndërkombëtar”.

Zimmermann argumentoi se Republika Federale e Jugosllavisë që trashëgoi Jugosllavinë socialiste nuk mund të konsiderohet përgjegjëse për krimet e shkaktuara para se të konstituohej.

Ai citoi një vendim të mëparshëm të GjND-së për Eritrenë, të cilën gjykata e obligoi që të zbatojë Konventën e Gjenocidit vetëm nga koha kur ky shtet u bë i pavarur.

Edhe Wayne Jordash, një anëtar tjetër i ekipit ligjor të Beogradit tha që vendimet e marra për krime të luftës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për ish-Jugosllavinë mbështesin rastin e Serbisë.

“Në kundërshtim me [ pohimet e Kroacisë] ICTY-ja nuk ka hedhur poshtë vazhdimisht propozimet që udhëheqja serbe nga Beogradi ka marrë pjesë në konflikte të ligjshme, por vazhdimisht ka pranuar një gjë të tillë”, tha Jordash.

“Gjetjet janë në përputhje me sugjerimin e konfliktit të armatosur të dizajnuar për vendosjen e kontrollit të territorit duke luftuar forcat ushtarake kroate që përfaqësuesi i [i pretendimeve për gjenocid] pohon se nuk ekzistonin”, shtoi Jordash.

Gjatë dëgjimeve në gjykatë këtë muaj, Zagrebi argumentoi që Serbia kreu gjenocid gjatë konfliktit 1991-1995, duke thënë se Beogradi dëshiroi të pushtojë çerekun e territorit kroat dhe të largojë prej kësaj pjese të gjithë kroatët.

Por Serbia argumentoi që Kroacia dështoi të tregojë ndonjë provë që ky ishte gjenocid dhe më pas paraqiti kundër-akuzë në gjykatë, edhe ajo për pretendime gjenocidi.

Edhe Beogradi, edhe Zagrebi shfaqën besimin që do t’i fitojnë rastet e tyre, por disa ekspertë sugjeruan se asnjëra palë nuk do të mundet të dëshmojë gjenocidin. Ekspertët shprehin brengën se paditë e ndërsjella do të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy fqinjëve.

Që nga themelimi pas Luftës së Dytë Botërore, GjND-ja vetëm njëherë pranoi një rast gjenocidi-atë të masakrës së Srebrenicës të ndodhur në Bosnjë në vitin 1995.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice