Përsëri Nuk Zgjidhet Avokati i Popullit

Kuvendi i Kosovës, përsëri nuk arriti ta zgjedhë avokatin e popullit, pas votimit të dy raundeve.

Në garë për këtë post Hilmi Jashari mori 43 vota të deputetëve dhe Gjyljeta Mushkolaj dy më pak (41).

Pas procedurës së votimit, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se pasi që asnjëri nga kandidatët nuk mori 61 vota, Kuvendit i mbetet ta rishpallë konkursin, pas 30 ditësh.

Sipas paragrafit 1 të nenit 9 të Ligjit për Avokatin e Popullit, ai zgjidhet nga  Kuvendi i Republikës së Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të tij, për një mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Po ashtu, sipas paragrafit 2 të nenit 9 të këtij ligji, Avokati i Popullit duhet të zgjidhet brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e propozimit të kandidatëve.

Nëse ky afat nuk është arritur, Kuvendi i Republikës së Kosovës voton për zgjedhjen e Avokatit të Popullit në secilën seancë plenare për tridhjetë (30) ditë të tjera. Nëse Avokati i Popullit nuk zgjidhet brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve, Komisioni përkatës i Kuvendit përsëri do të shpallë konkurs për Avokat të Popullit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe në seancën plenare të 19 marsit, pas dy raundeve nuk mundën ta zgjedhin avokatin e popullit.

14:45

Kuvendi Nuk Fut Projektligjin e Veteranëve në Rend Dite

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, votuan kundër futjes se Projektligjit për Veteranët e Luftës në rend të ditës. Kundër votuan grupi parlamentar i LDK-së, ndërsa deputetët e Vetëvendosjes nuk votuan fare. Kërkesën që Projektligji për Veteranët e Luftës të futet për diskutim në këtë seancë e bëri deputetja e PDK-së Flora Brovina.

Deputetet e Kuvendit të Kosovës i thanë jo futjes së Projektligjit për Veteranët e Luftës si pikë të rendit të ditës.

Nga 93 deputetë që ishin të pranishëm në Kuvend, 62 votuan pro, 31 kundër, dhe 2 abstenuan.

Pas votimit, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi tha se kjo pikë nuk futet në rend të ditës, pasi që sipas tij për një gjë të tillë nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.

Në rastet kur duhet të futet ndonjë çështje në rendin e miratuar të ditës për seancën e Kuvendit, sipas rregullores së punës së këtij institucioni, duhet të votohet për shmangie nga procedura.

Kundër shmangies së procedurës, votuan deputetët e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndrsa me përjashtim të Glauk Konjufcës që abstenoi, deputetët e Vetëvendosjes nuk votuan fare.

Ismet Beqiri kërkoi që projektligji më parë të amandamentohet, që “në pikën 1.1 të nenit 3 të futet, ose të njihet ish-Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”.

Kjo ministri funksionoi në kohën e qeverisë në ekzil, gjatë të nëntëdhjetave, ndërsa gjatë luftës krijoi FARK-un-Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, një formacion shpesh rival me UÇK-në.

Kryeministri Thaçi tha se me miratimin e projektligjit, askush prej veteranëve të UÇK-së nuk do të përjashtohet, por nuk e bëri të qartë se a do të futet në Projektligj formulimi i LDK-së për pikën 1.1 të nenit 3.

Edhe, deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli kërkoi që ky Projektligj të debatohet në Kuvend në seancën tjetër.

“Për shkak të rëndësisë së tij, është mirë që mos të ngutemi dhe projektligji të futet në rend të ditës, javën e ardhshme”, tha ai.

Topalli, po ashtu akuzoi kryeministrinë Thaçi  se po nxiton me Projektligjin e Veteranëve të Luftës për të përfituar politikisht, pak para zgjedhjeve në Kosovë.

Kurse, deputetja Flora Brovina e PDK-së dhe anëtare e Komisonit për Shëndetësi që e ka amandamentuar projektligjin, tha se për shkak të rëndësisë së tij, është mirë që të futet në rend të ditës.

Këtë propozim e përkrahën edhe shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, AAK-së dhe Koalicionit Kosova e Re.

14:02

Polemika në Kuvend për Veriun dhe Dialogun

Fjalimi i deputetit të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, i cili hodhi akuza të rënda në drejtim të qeverisë për çështje të ndryshme prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 prill 2008 e deri më tani, nxiti debat të ashpër të tij me zëvendëskryeministren Edita Tahiri. Në këtë polemikë u përfshi edhe deputetja Rada Trajkoviq.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha të enjten në Kuvend se Qeveria e Kosovës ka prirje të vazhdueshme për të lëshuar pe ndaj Serbisë.

“Prej vitit 2008 mund të renditen me dhjetëra raste të cilat tregojnë se Qeveria jonë ka hequr dorë nga mbrojtja e shtetësisë me një lehtësi të paparë”, tha Konjufca.

Ai përmendi regjistrat civilë e librat kadastralë kopje, fshehjen e targave të automjeteve, fusnotën, mungesën e simboleve shtetërore nëpër komunat serbe si dhe praninë e simboleve të Serbisë nëpër komunat e veriut, heqjen e stemës nga fletëvotimet e zgjedhjeve dhe mbulimin e simboleve shtetërore për t’ua bërë qejfin kryetarëve të komunave të veriut të Kosovës.

Konjufca shtoi se në vitin 2010 kryeministri Thaçi premtoi se nuk do te ketë kurrfarë negociata me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës dhe sipas tij në vitin 2011, filluan negociatat me Serbinë pikërisht për çështjet e brendshme të Kosovës.

Kurse, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mohoi se në bisedimet e Brukselit është folur për çështje të brendshme të Kosovës.

 “Ky dialog ka sjellë rezultate të prekshme. E para, nuk është marrë me çështje të brendshme të Kosovës, por është marrë me ndërhyrjen e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës”, tha Tahiri.

Por deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ia kujtoi zëvendëskryeministres Tahiri se “realitet është fusnota e pashkrirë”. Edita Tahiri në shkurtin e vitit 2012 kur u nënshkrua marrëveshja për përfaqësim rajonal, fusnotën e quajti një fjollë bore e cila do të shkrihet me kalimin e dimrit.

Fusnota, me të cilën Kosova mori obligim të paraqitet nëpër nismat ndërkombëtare përmban Rezolutën 1244 dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, të dhënë në vitin 2010.

Tahiri  shtoi se rezultatet e dialogut nuk i shohin vetëm ata që kanë logjikën e makushit. E pati fjalën për shprehinë e këtij zogu të stërmadh që ta fusë kokën në rërë sa herë që ndodhet në rrezik. 

“Rezultat ka qenë shuarja e strukturave ilegale që të tjerët që e kanë logjikën e makushit, nuk e kanë parë që ekzistojnë në Kosovë që nga viti 1999 dhe si rezultat i kësaj është vënë kufiri shtetëror, janë vënë autoritetet e shtetit në veri në pikat Jarinje dhe Bërnjak që nuk i kemi pasë për shumë vite”, tha Tahiri.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, i transmetuar në muajin mars në RTK u bë për një operacion të Policisë së Kosovës të zhvilluar gjatë këtij muaji, në të cilin u kapën pesë bashkëpunëtorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), katër nga ta policë të Kosovës. 

Më parë gjatë dhjetorit 2013 forcat kosovare të rendit arrestuan një pjesëtar aktiv të MUP-it serb, edhe pse këta duhej ta pushonin aktivitetin brenda territorit të Kosovës në qershor 2013, sipas Marrëveshjes së 19 Prillit.

Polemikat Tahiri-Konjufca vazhduan edhe për çështje tjera.

“Ata që i mohojnë simbolet shtetërore të shtetit të vet nuk kanë të drejtë të merren me mohime që ia bëjnë ndonjë subjekti ose individi në Kosovë”, tha Tahiri, duke iu kundërpërgjigjur fjalëve të Konjufcës për mungesën e simboleve shtetërore në veri.

“Ju po gënjeni, nuk po e thoni të vërtetën kur po thoni që nuk ka struktura paralele dhe kriminale në komunat e veriut. Njëra prej tyre është edhe mbrojtja cilvile që është një strukturë e armatosur që nuk është shpërbërë fare”, tha Glauk Konjufca.

Në përplasjen mes Tahirit e Konjufcës ndërhyri edhe deputetja Rada Trajkoviq.

“Të gjithë punojnë njësoj për diskriminimin e serbëve të veriut dhe Kosovës dhe në anën tjetër kanë agjendë të përbashkët për projekte të bashkimit me shtetin shqiptar”, tha Trajkoviq.

Trajkoviqit iu përgjigj më pas zëvendëskryeministrja Tahiri.

“Shqetësimet për veriun po vijnë nga ajo çfarë po ndodh atje. a po ndodh me të vërtetë integrimi i serbëve të veriut në institucionet e Kosovës dhe a ka dalë Serbia përfundimisht nga ndikimet dhe ndërhyrjet në pjesën veriore të shtetit tonë”, tha Tahiri.

Edhe kryeparlamentari Krasniqi iu drejtua me fjalë deputetes Trajkoviq.

“Politika e Kosovës është shumë humanitare, shumë integruese me të gjithë komunitetet pakicë që jetojnë në Kosovë, e në mënyrë të veçantë me komunitetin serb”, tha Krasniqi.

13:00

Kelmendi i PD-së Kërkon Njësi Speciale për Rajonin e Pejës 

Deputetet e Kuvendit të Kosovës, të enjten në seancën e rregullt, gjatë kohës për deklarime jashtë rendit të ditës ngritën si shqetësim vrasjet e  fundit në Pejë. Ata kritikuan Qeverinë e Kosovës për mosangazhim që t’u ofrojë mbrojtje qytetarëve, pasi që sipas tyre siguria e jetës dhe pronës është obligim kushtetues i shtetit.

Deputeti nga radhët e Partisë së Drejtësisë Gëzim Kelmendi kërkoi nga ministri i Punëve të Brendshme që të krijojë një njësi speciale të policisë për Pejën.

“Kërkoj nga Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi që ta shfrytëzojë potencialin e tij në kuadër të Ministrisë së Brendshme që të themelohet një njësi speciale për rajonin e Pejës e cila do të kontribuojë në zbulimin e të gjitha vrasjeve që kanë ndodhur deri më tani”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se “qytetarët e Pejës në veçanti dhe të Kosovës në përgjithësi duhet të jenë të qetë dhe të mos ballafaqohen me vrasje të tilla të përditshme”.

Kelmendi deklaroi se është shumë herët të flitet për largimin e EULEX-it, pasi që nga institucionet vendore po mungon vullneti për të luftuar krimin e organizuar në Kosovë.

Të premten e kaluar në Pejë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbetën të vrarë Valdet Kelmendi dhe Fazli Bajraktari, ndërsa u plagosën gjashtë kalimtarë të rastit. Kurse, Policia e Kosovës ende nuk e ka arrestuar autorin e krimit.

Edhe deputeti Burim Ramadani i AAK-së u shpreh i shqetësuar sa u përket vrasjeve të fundit në Pejë.

“Siguria e jetës dhe pronës së qytetarëve është obligim kushtetues i shteti , i mekanizmave të shtetit të cilat udhëhiqen nga qeveria qendrore”, tha Ramadani.

Ai shtoi se kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat të cilëve sipas tij opinioni as nuk ua di emrat, nuk e kanë këtë problem.

“Për vete sillen edhe me roje edhe me vetura të shtrenjta që i paguan populli i Kosovës dhe nuk e kanë farë idenë se cili është niveli i ndjenjës së pasigurisë së qytetarëve për jetën dhe pronën e tyre”, deklaroi Ramandani

Kurse, deputetja e LDK-së Vjollca Krasniqi, reagoi lidhur me mosarrestimin e atyre që vranë dhe plagosën njerëz në Pejë më 21 mars.

“Vrasësit deri më tani nuk u zunë, andaj institucionet e sigurisë duhet ta kryejnë punën e tyre, duhet të krijojnë ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e vendit në përgjithësi”, tha ajo.

Deputetja Krasniqi, edhe të martën në mbledhjen e Komisionit punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, për shkak të vrasjeve të fundit në Pejë, propozoi që komisioni ta ftojë në raport drejtorin e përgjithshëm të Policisë Shpend Maxhunin.