Propozohen Ndryshime në Ligjin për Veteranët e UÇK-së

Përfaqësues të organizatave të veteranëve të luftës, të mërkurën dhanë disa propozime për ndryshim të Projektligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kaloi në lexim të parë në Kuvend, me 13 mars të këtij viti.

Fillimisht, Muharrem Xhemajli, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) propozoi që të futet periudha kohore e veteranit të UÇK-së prej vitit 91, e jo prej viteve 97-99 siç është përcaktuar në projektligj.

Xhemajli propozoi edhe ndryshimin e nenit 31 të projektligjit. Ky nen parasheh lirimin nga pagesa administrative për veteranët që ndjekin shkollimin publik universitar. Kryetari i veteranëve kërkoi që edhe fëmijët e ish-ushtarëve të UÇK-së të lirohen nga kjo pagesë.

“Ne kemi qenë dakorduar edhe me komisionin që e kemi bërë këtë ligj që këtu të ketë lehtësira për fëmijët e veteranëve të luftës së UÇK-së, sepse është një numër shumë i vogël i veteranëve që munden me qenë duke vazhduar studimet”, tha Xhemajli.

Safet Syla, drejtor i përgjithshëm i Zyrës së Trashëgimisë së TMK-së dhe njëkohësisht edhe kryetar i Zyrës së Veteranëve në Komunën e Shtimes, propozoi ndryshimin e nenit 23 të projektligjit.

Ky nen rregullon të drejtën e shërbimit shëndetësor falas për veteranët e luftës. Syla kërkoi që neni të përfshijë edhe një kontroll detaj të veteranëve për traumat e luftës.

“Propozoj që në kuadër të nenit 23 të shtohet edhe një pikë: që Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të bëjë një hulumtim të saktë për gjendjen emocionale, shpirtërore dhe të traumave si pasojë e luftës së veteranëve të UÇK-së dhe të mbikëqyret në mënyrë permanente rehabilitimi i tyre”, tha Syla.

Kurse Avaz Kafazi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Lipjanit,  kërkoi që nga ky projektligj të përfitojnë edhe familjarët e veteranëve të UÇK-së.

Edhe Xhevdet Qeriqi, kryetar i Organizatës së Veteranëve në Fushë Kosovë, tha se neni 16, pika 4 e projektligjit duhet të ndryshojnë.

Sipas pikës 4 të nenit 16 , veteranët e  UÇK-së të cilët janë të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk kanë të drejtën e përfitimit të pensionit. “Pse po u mohohet kjo e drejtë, të paktën një 50 përqindësh është dashur ta kenë”, tha Qeriqi.

Qeriqi, po ashtu kërkoi sqarime sa i përket zbatimit të ligjit pasi të hyjë në fuqi.

“Ligji hyn në  fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. A do të fillojë të zbatohet pikërisht pas 15 ditëve për arsye se komisioni nuk e ka kryer punën e vet? Qysh mund të fillojë të zbatohet kur nuk e dinë numrin e saktë të veteranëve”, shtoi Qeriqi.

Rexhep Ahmeti prej Qendrës për Rend Juridik dhe integrime nga Mitrovica, tha se ligji të mos jetë sa për sy e faqe, por t’i përfshijë të gjitha të drejtat legjitime që u takojnë veteranëve nga të gjitha fushat.

Kurse, këshilltari politik i kryeministrit, Faik Fazliu, tha se veteranët e luftës askund në botë nuk marrin pension.

“Pension marrin vetëm ushtarët e plagosur dhe familjet e ushtarëve të cilët kanë rënë në luftë, kurse ne si Qeveri së bashku me parlamentin kemi bërë përjashtim për shkak të gjendjes së rëndë që kanë veteranët, kemi futur të gjithë veteranët që nuk janë të punësuar të marrin pension”, shtoi ai.

Edhe deputeti Gëzim Kelmendi dhe Faton Topalli, thanë se është e drejtë që nga ky ligj të përfitojnë veteranët, por sipas Topallit ky ligj është i vonuar dhe është aktualizuar pak para zgjedhjeve.

Por, deputetja e PDK-së Flora Brovina, tha se vonesa është bërë për shkak të harmonizimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Zëvendëskryetarja e komisionit, Time Kadriaj, tha se komisioni do të fillojë që sot punën për amendamentimin e projektligjit, në bazë të propozimeve të paraqitura.