Limaj: Akuza do të Dilte Film i Mirë (TV)

Pasi u lexua aktakuza në rastin MTPT 2, Fatmir Limaj teksa e deklarua i pafajshëm, kundërshtoi akuzat me të cilat ngarkohet.

“Akuza e prokurorit mbështetet në paragjykime, në çështje abstrakte dhe spekulime”, tha Limaj.

Limaj ngarkohet për krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, lidhje të kontratës së dëmshme, keqpërdorim të detyrës, ose autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

“Sikur kjo akuzë të kishte qenë skenar, kishte me dalë një film i mirë”, tha më tutje Limaj gjatë seancës.

Të pafajshëm e cilësuan veten edhe katër të akuzuarit tjerë.

Nexhat Krasniqi dhe Shpëtim Telaku ngarkohen me të njëjtat akuza si Limaj, ndërsa Ali Aliu dhe Beqir Deda akuzohen për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Prokurori Johanes Pickert i quajti grup të organizuar kriminal  Limajn, Krasniqin dhe Telakun, pasi sipas tij kishin vepruar në vitin 2008 me qëllim të sigurimit të përfitimit material, duke kryer vepra të rënda.

“Caku i grupit kriminal ishte dhënia e një tenderi  fitues për mirëmbajtjen e rrugëve dhe një për ndërtimin e rrugëve kompanive  në bazë të pikëpamjeve politike dhe atyre që paguanin para të gatshme”, tha prokurori.

Përveç Limajt, edhe Shpëtim Telaku e Nexhat Krasniqi nuk e pranuan atë që thoshte prokurori.

“Nuk e pranoj fajësinë, provat që gjenden në shkresat e lëndës nuk provojnë se unë kam kryer këtë vepër” tha Telaku .

“Prokurori në asnjë moment nuk ka arritë të argumentojë ndonjë shkelje që është bërë në Departamentin e Prokurimit, gjegjësishtë nga drejtori, e që nga ana e prokurorit janë futur në aktakuzë “, deklaroi Krasniqi.

Në fillim të seancës, Tahir Rrecaj-mbrojtësi i Fatmir Limajt kërkoi që të lexohen vetëm pikat e aktakuzës, e jo edhe arsyetimi i saj, ndërsa Bajram Tmava, avokati i Nehat Krasniqit kërkoi që aktakuza të konsiderohet e lexuar për ekonomizim të procedurës.

Prokurori pastaj e lexoi aktakuzën pa arsyetimin e saj.

“E vërteta te kjo lëndë është emri dhe mbiemri im, në detyrat që kam qenë , vetëm pse kam qenë ministër dhe për faktin se çdo gjë që ka ndodhë në këtë vend unë kam qenë ‘bosi’“, tha Limaj .

Gjyqtarja u dha afat 30 ditë mbrojtjes që me shkrim ta kundërshtojnë akuzën, ndërsa prokurorit një javë që t’u përgjgijet kundërshtimeve të mbrojtjes.