“NATO Air Just Do It” Zemëron Serbinë

Një ministër i Qeverisë së Kosovës dhe një zëdhënës i NATO-s kanë zemëruar zyrtarët në Serbi nga postimi i një imazhi në Twitter të hënën, ku falënderohej NATO-ja për ndërhyrjen e saj ushtarake në Kosovë në vitin 1999.

Fushata ajrore, që filloi 15 vjet më parë dhe përfundoi pas 78 ditëve kishte për qëllim të largonte forcat serbe nga Kosova. Kurse, Kosova më 2008 shpalli pavarësinë.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku postoi në Twitter sloganin e mirënjohur të kompanisë Nike-“Just Do it”, me ndryshimin “Nato Air Just Do it”  dhe një aeroplan të luftës afër mbishkrimit.

Oana Lungescu, një zëdhënëse e NATO-s, më pastaj  e  ripostoi mesazhin e Çitakut në llogarinë e saj në këtë rrjet social.

Sloganin e postuar në ditën e 15 vjetorit të bombardimeve të NATO-s kundër ish-Federatës Serbi-Mali i Zi, Ministria e Jashtme e Serbisë e quajti veprim që nuk respekton serbët e vrarë gjatë fushatës ajrore.

Me ardhjen e 15 vjetorit të fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, Ministria e Jashtme e Serbisë i ka quajtur sulmet si një gjest i pasjellshëm për sërbet  e vrarë gajtë fushatës ajrore të NATO-s.

“Veprimet e tilla nuk kontribuojnë në bashkëpunimin midis Serbisë dhe aleancës,” thuhet ne komunikatën e kësaj ministrie.

Ministria vuri në dukje se 24 marsi është ditë përkujtimi në Serbi për viktimat e fushatës së NATO-s, kurse ndihmës-ministri i Punëve të Jashtme Miomir Udovicki ka debatuar për këtë çështje me Zyrën e Ndërlidhjes Ushtarake të NATO-s në Beograd.

Lungescu mohon që slogani ishte drejtuar kundër Serbisë, duke thënë se ai ishte një ripostim në Twitter për të falënderuar NATO-në që ka shpëtuar civilët nga spastrimi etnik në Kosovë.

“NATO ka reaguar shpejt për të mbrojtur njerëzit në Kosovë në vitin 1999 dhe misioni ynë i paqes së KFOR-it vazhdon të sigurojë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Lungescu.

Kompania amerikane Nike ka thënë se nuk ishte e përfshirë në postimin ose në krijimin e imazhit.

Zyrtarët serbë të hënën kanë mbajtur një përkujtim për të përkujtuar 15 vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, duke thënë se ata kurrë nuk do të harrojnë viktimat.

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Beograd ndërkohë kanë përdorur  përvjetorin për të startuar me një platformë të dhënash në internet të krimeve kundër shqiptarëve të Kosovës të kryera nga forcat serbe gjatë konfliktit që kanë mbetur  pa u ndëshkuar.