Projektligji për Zgjedhjet në Kuvend

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë bëri të ditur se Projektligji për Reformën Zgjedhore do të jetë si pikë e rendit të ditës në seancën e të enjtes.

Por, ai u shpreh skeptik sa u përket ndryshimeve në këtë projektligj.

“Unë nuk kam qenë pjesë e reformës zgjedhore, por një gjë e di që reformë zgjedhore nuk është, janë disa ndryshime teknike në ligj dhe ndoshta është mirë nëse janë bërë ato ndryshime për t’i hequr defektet e zgjedhjeve që kanë ndodhur në vitin 2010”, tha Krasniqi.

Edhe Ismet Beqiri shef i Grupit Parlamentar të LDK-së tha se në Projektligj nuk  janë bërë ndryshime substanciale.

“Nuk ka ndonjë ndryshim substancial ashtu siç do të dëshironim të gjithë ne”, tha Beqiri.

Beqiri mohoi se projektligji është dërguar vonë në Kuvend, sidomos pasi ka paralajmërime për mbajtje të zgjedhjeve në qershor.

“Besoj që do të miratohet në Kuvend. Edhe nëse nuk kalon në të njëjtën seancë në dy leximet mund të kalojë edhe pas një jave, nëse ka urgjencë. Për javën e parë apo të dytën të qershorit ka kohë”, shtoi Beqiri.

Projektligji për veteranët

Kryeministri Thaçi, teksa vizitoi të hënën Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, tha se është koha që Projektligji për veteranët të nxirret në Kuvend. Ky projektligj kaloi në lexim të parë në legjislativin  e vendit më 13 mars.

Por kryeparlamentari Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit po të hënën, nuk garantoi që ky projektligj do të nxirret për votim të enjten në seancën e rregullt plenare. Ai pëmendi seancën e 3 prillit si datë kur projektligji mund t’i shkojë Kuvendit.

Sipas Krasniqit projektligji më parë duhet të amendamantohet, pastaj të kalojë nëpër komisionet për buxhet dhe financa, për legjislacion dhe për komunitete, para se të dalë për votim në Kuvend. 

“Nëse këto komisione në javën tjetër janë në gjendje t’i kryejnë obligimet e veta, në seancën e radhës mund të jetë pjesë e seancës ligji për veteranët”, tha Krasniqi.

Ismet Beqiri nga LDK-ja fajësoi qeverinë për vonesën e Projektligjit për veteranët.

“Është shumë e qartë që gjitha kjo zjarrmi e fjalëve është një fushatë. Ne e konsiderojmë që është e nevojshme që statusi i veteranëve të rregullohet, por të akuzosh kuvendin se ka vonuar procedurën është absurde dhe e papranueshme”, tha Beqiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci gjeti një fajtor tjetër për vonesat-harmonizimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ky ligj është debatuar ma shumë se çdo ligj tjetër, pengesat kanë qenë te harmonizimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe kjo është arsyeja e vetme që ky ligj është shtyrë deri më tash”, tha Grabovci.

Ai premtoi se deputetët e PDK-së do të mundohen që projektligjin ta fusin në rendin e ditës të seancës së ardhshme.

Në seancën e së enjtes, si pikë e rendit të ditës do të jetë edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, pasi që në seancën e kaluar kandidatët e propozuar nuk i morën votat e mjaftueshme.