Debat për Moralin Politik të Ramadan Mujës (TV)

Ramadan Muja, kryetari i vetëpezulluar i Prizrenit, nuk iu përgjigj ftesës për të qenë pjesë e debatit Jeta në Kosovë dhe si përfaqësues të tij e  dërgoi zëdhënësin, Ymer Berishën.

Ky i fundit gjatë debatit tha se vendimi i shefit të tij, Ramadan Muja, për t’i dhënë në shfrytëzim pronat komunale, për të cilat edhe u dënua, ishte bërë për hir të qytetarëve dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

Por për bashkëpartiakun e tij, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës nga PDK-ja, Berat Buzhalën, nuk duhet që për hir të vendeve të reja të punës komuna t’ia japë në shfrytëzim pronën komunale një krimineli, i cili mund të investojë në atë pronë.

Redaktori i emisionit Drejtësia në Kosovë, Kreshnik Gashi, tha se dhënia e pronave komunale është bërë në kundërshtim me ligjin.

Duke i marrë parasysh zhvillimet e fundit në Prizren, tashmë ish-nënkryetari i Prizrenit Ruzhdi Rexha dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Rexha, si vëlla i komandant Drinit, tha se vëllai i tij nuk do ta donte një Prizren të tillë.

E në anën tjetër, Hajrulla Çeku, drejtor ekzekutiv në “Ec ma Ndryshe”, tha se kryetari Muja që tri mandate u betua në moral dhe përgjegjësi, por kjo po del se nuk po e respekton këtë betim.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore, për dënimin e Mujës dhe disa zyrtarë tjerë komunalë, u nxitën protesta qytetare para objektit komunal.

Duke e parë këtë situatë, Muja mori vendim për pezullimin e pozitës së tij për gjashtë muaj.
 Zëdhënësi i komunës, Ymer Berisha tha gjatë debatit se vendimi është bazuar në Kushtetutë. Por askund në këtë akt ligjor nuk i jepet të drejtë një kryetari komunal për një gjë të tillë.

Për më tepër ndiqeni debatin Jeta në Kosovë, i cili transmetohet sonte në RTK prej orës 21:15, në të cilin marrin pjesë:

Ymer Berisha – zëdhënës i Komunës së Prizrenit,
Berat Buzhala – deputet i PDK-së,
Ruzhdi Rexha – ish-nënkryetar i Komunës së Prizrenit nga PDK-ja,
Hajrulla Çeku – organizata joqeveritare “Ec ma Ndryshe” dhe
Kreshnik Gashi – redaktor në emisionin “Drejtësia në Kosovë”