Mujës i Bëhet Padi (TV)

‘’Ne kemi arritë që ta detyrojmë të japë dorëheqje së pari Ruzhdi Rexhën, nga pozita e nënkryetarit të komunës dhe anëtarit të Kryesisë së PDK-së,po ashtu rezultat i mirë ka qenë edhe ikja e ish-kryetarit Muja nga komuna dhe rezultati i tretë që është më i miri është se Prizrenin e kemi bo bashkë’’, tha Kastriot Jahaj.

Jahaj, edhe pse përmendi rezultatet e protestës së të mërkurës, tha se Grupi… nuk është i kënaqur me këto rezultate deri në largimin e kryetarit Muja nga komuna.

Ai paralajmëroi se do të vazhdohet me aksione protestuese  edhe në ditët në vijim. Qytetarët Aktivë për Prizrenin, thanë se padinë e përgatitur ndaj Mujës, do ta dërgojnë në prokurori.

 ‘’Ne e kemi bo edhe një padi për veprimet e fundit të z.Mujës, ne kemi gjetë se me vendimin qe e ka marrë për me e pezullu vetveten, ai ka shkelë disa nene të Ligjit për Qeverisje Lokale,më saktësisht nenin 56 dhe 64’’, shtoi Jahaj.

Neni 56 i këtij ligji përcakton zgjedhjen e kryetarëve të komunave, ndërsa ai 64 shkarkimin e tyre.

Grupi i Qytetarëve Aktivë për Prizrenin, siç kishin paralajmëruar, të enjten bënë edhe një aksion protestues simbolik, duke vendosur gjashtë pranga në grilat e Shtëpisë së Bardhë, me emrat e gjashtë të dënuarve më 13 mars. Aty ishte shkruar edhe emri i Mujës.

Policia, pengoi protestuesit që këto pranga t’i vendosin në dyert e oborrit të Shtëpisë së Bardhë, në pamundësi të kësaj, ata u detyruan që prangat t’i vendosin në rrethojat e oborrit.

Nga ana tjetër Ymer Berisha, zëdhënësi i komunës dhe njëherësh këshilltari politik i Mujës, inkurajoi qytetarët për veprime të tilla ligjore.

 ‘’Të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë të shfrytëzojnë mekanizmat ligjorë që konsiderojnë se kanë të drejtë, jo që i përkrahim, por i  stimulojmë që të bëjnë një gjë të tillë, për arsye se komuna e Prizrenit dhe vendimmarrja komunale në Prizren është absolutisht pro interesit publik, pro interesit të qytetarëve’’, tha Berisha.

Berisha, tha se kryetari Muja me vendimin e tij për pezullim i ka hapur rrugë verdiktit gjyqësor dhe tha se janë në pritje të interpretimit të këtij vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Berisha tha se protesta e zhvilluar të mërkurën gëzon pak respekt.

Berisha, u bëri thirrje protestuesve që të heqin dorë nga kjo formë e protestave me arsyetimin se kryetari Muja me këtë vendim u ka hapur rrugë argumenteve gjyqësore si dhe MAPL-së.

Për më tepër, ai tha se protesta për kërkimin e dorëheqjes së kryetarit Muja gëzon pak respekt, ngase vjen nga disa simpatizant të partive politike, sipas tij qytetarët qëndrojnë në anën e Mujës.

Grupi i Qytetarëve Aktivë Për Prizrenin, paralajmëroi se ditën e hënë do të ketë sërish marsh protestues nga Shatërvani drejt Shtëpisë së Bardhë, për të kërkuar dorëheqjen e Mujës. Marshi i paralajmëruar do të fillojë prej orës 12:00.